Foto: Blerta Deliu, Facebook

Deputetët e PDK-së vendosin te ulësja e Kurtit fotografinë e tij me Martin Berishajn - VIDEO

Një fotografi e kryeministrit, Albin Kurti me ambasadorin Martin Berishaj është vendosur sot te ulësja e kryeministrit në Kuvendin e Kosovës.

Kjo fotografi e cila mban mbishkrimin “Unë i besoj Martin Berishajt”, është vendosur nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu e Hajdar Beqa.

Kurti nuk po merr pjesë në seancën e Kuvendit, pasi po qëndron për vizitë në Zvicër.

PDK në vazhdimësi kanë kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi sot në seancën e Kuvendit ka akuzuar Kurtin, presidenten Vjosa Osmani e ministren Donika Gërvalla se janë duke tentuar ta heshtin çështjen e ambasadorit.

“Për nëntë muaj raportimet kanë ardhë duke u shtua, faktet duke u zbuluar e duke gjetë rrugë deri të kryeministri Albin Kurti e Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa reagimi institucional nga kryeministri, presidentja e ministrja e jashtme në përputhje më zhvillimet, kanë ardhë duke u zvogëluar duke tentuar ta fshehin, heshtin apo ta tejkalojnë këtë situatë, por po gabojnë aq shumë sa vetëm po e konfirmojnë se edhe vet janë të përfshirë”- ka thënë Krasniqi.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.