Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputetet e PDK-së: U kërcënuam nga bashkëshorti i presidentes Osmani

Deputetet e PDK-së, Floretë Zejnullahu dhe Ganimete Musliu kanë deklaruar sot në Kuvendin e Kosovës se janë kërcënuar nga bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriut.

“I rrethuar me pushtetin e bashkëshortes dhe partnerit të saj qeverisës Albin Kurti ai ka marr guximin që të kërcënoj deputetë të Kosovës. Kërcënimet e tij vijnë menjëherë pas publikimit të fakteve ndaj tij dhe jetës luksoze që ai dhe bashkëshortja e tij bëjnë. Këto fakte duket se i kanë prish rehatinë familjes presidenciale”, tha deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu.

Zejnullahu tha se e ka gabuar adresën të cilën kanë menduar se mund ta frikësojnë.

“Bashkëshorti i presidentes ndoshta ka menduar se përmes kësaj letre kërcënuese unë mund të frikësohem e të heshti. Por nga këtu bëjë me dije atij dhe bashkëshortes së tij se keni gabuar adresën e personit dhe adresën politike të cilën keni mëndu që mund ta frikësoni, kërcënoni e shantazhoni”, tha ajo.

Zejnullahu tha se PDK dhe ajo, do të vazhdojnë të denoncojmë çdo zhvatje të buxhetit të Kosovës.

“Nga kjo foltore e Kuvend dua ta njoftoj publikisht bashkëshortin e presidentes se do ta padis në organet e drejtësisë për kërcënimin dhe vetëgjyqësinë që e ka bërë ndaj meje menjëherë pas kësaj seance”, tha ajo.

Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se është kërcënuar nga Prindon Sadriu. Musliu tha se në adresë të saj të Kuvendit i kishte shkuar një zarf ku shkruante nga presidentja Vjosa Osmani, por sipas saj në brendi të zarfit nuk ishte shkresë nga presidentja por ishte letër e pa nënshkruar nga Prindon Sadriu.

“Letra me emër të presidentes përmbante një kërcënim për padi civile. Arsyeja e përmendur në këtë letër ishte se unë në një prej televizioneve paskam thënë se ai është ambasador me korrespodencë, ai nuk rrinë në Shkup por udhëto çdo ditë Prishtinë – Shkup dhe se atë e bëri ambasador gruaja e tij”, tha ajo.

Musliu tha se në letër i ka caktuar afate për kërkim falje.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Prindon Sadriu, por i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.