Deputetët e opozitës deklarohen për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë

Deputetët e opozitës kanë shprehur qëndrimet e tyre në emër të partive lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra ka thënë se përderisa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë kishin mësuar përmendësh fjalët konfiskim i pasurisë.

“Këta sa ishin në opozitë i mësuan përmendësh dy fjalë: konfiskim i pasurisë. Duke qenë opozitë gjatë, patën kohë të mjaftueshme me propagandu rreth tyre, aq sa duke propagandu dikur filluan edhe vetë me besu në atë që ishte propganadë deri sa të njëjtit erdhën në pushtet. Tash që janë në pushtet, menduan që e kanë shpikë ujin e nxehtë duke prezantuar diçka si ky ligj, me ç’rast morën guximin me fye intelegjencën e një populli duke provu të shesin këtë gjë si diçka e cila i kontribuon sundimin e ligjit”, ka thënë Deliu Kodra.

“Krejt çfarë bën ky projektligj është se e amniston krimin e korrupsion ndërsa ushtron pushtetin politik mbi qytetarët e lirë të këtij vendi”, ka shtuar ajo.

Tutje, deputetja Deliu Kodra tha se PDK e kupton se me çfarë qëllimi është sjellë ky projektligj dhe se janë për llogaridhënie të gjithësecilit që ka përfituar jashtëligjshëm.

“PDK e kupton qartë qëllimin me të cilin sot e keni pru këtë projektligj. E kemi pritur dhe mirëpresim çdo hap që shkon në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, paralelisht me ndëshkimin e atyre që merren me e janë marrë me korrupsion e janë marrë me krim dhe që kanë përfituar kundërligjshëm. Ne jemi për përgjegjësi, PDK është për llogaridhënie të gjithësecilit që ka përfituar jashtëligjshëm sepse ky është vullneti i qytetarëve dhe unë këtë vullnet e kuptoj dhe PDK këtij vullneti i beson fuqishëm”, u shpreh ajo.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se kjo parti ka ngritur çështje për të cilat Komisioni i Venecias ka ngritur shqetësime.

“Ne kemi ngrit çështje të pavarësisë së byrosë, udhëheqjes, gjykatës kompetente, ndikimin politik, prezumimin e pafajësisë, barrën e provës, të drejtat e njeriut, mungesën e kompensimit, për të gjitha këto Komisioni i Venecias i ka ngritur si dilema dhe shqetësime”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi tha se ky projektligj ka mangësi dhe se sipas saj kjo byro rrezikon mos të jetë e pavarur.

“Projektligji për Byronë Shtetërore i shkel të gjitha të drejtat e njeriut dhe e shohim që ka mangësi të shumta në formën që në është prezantuar. Byroja planifikohet të drejtohet nga drejtori menaxhues i saj i cili ka kompetencë të plotë për të vendosur për inicimin e hetimeve dhe parashtrimin e propozimin për konfiskim të pasurisë dhe si i tillë kjo byro rrezikon të shndërrohet në një mekanizëm të partisë në pushtet për të arritur qëllime të caktuara”, ka theksuar Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se qëndrimi i AAK-së është që të kthehet në pikën zero dhe të merren parasysh të gjitha vërejtet e Komisionit të Venecias.