Deputetët e LVV-së: Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ndihmon vetëm bizneset e afërta me qeverinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati dhe Mimoza Kusari – Lila kanë kritikuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi ky i fundit u miratua në seancën e sotme.

Në një konferencë për media, deputeti Murati deklaroi se ky Ligj ka për qëllim që mjetet të shkojnë drejt bizneseve të mëdha e jo të qytetarët që kanë pësuar humbje nga pandemia COVID-19.

“Sot e pamë atë që LVV e ka thënë prej fillimit, që kur është bërë ky Ligj i ashtuquajtur për rimëkëmbje ekonomike, që, qëllimi i kësaj qeverie është që paratë që janë buxhet mos t’i shfrytëzojë për me iu ndihmu qytetarëve. Ka qenë kërkesë e jona që qytetarët të ndihmohen nga buxheti, e jo që qytetarët të prekin kursimet e tyre. E ato paratë e buxhetit, kjo qeveri ka tendencë që me votimin e fundit dhe me amendamenteve, t`iu ndihmojë oligarkëve dhe bizneseve të afërta me ta. E kemi pa që 60 milionëshi që është nda kanë përfitu, korporata e mëdha që nuk kanë qenë të mbyllura por kanë pas përfitime gjatë pandemisë. Pra, ky projektligj i dedikohet një oligarku, një kompanie që operon në Kosovë e që kanë kërku që këto amendamente t’i lirohen renta minerare dhe nga pagesa e energjisë së ripërtëritshme, këto do t’i bartë taksapaguesi i varfër i Kosovës. Ky ligj ka shumë defekte, i merr paret nga taksapaguesit dhe i orienton ato drejt të pasurve”, ka thënë Murati.

Mimoza Kusari – Lila u shpreh se tërheqja e kursimeve pensionale është shkelje kushtetuese, pasi që sipas saj, shteti duhet të ndajë mjete për qytetarët e jo që këta të fundit t’i shfrytëzojnë kursimet e tyre.

“Është për keqardhje që është kalu një projektligj me aq shumë defekte. Ka qenë gjithçka përveç për Rimëkëmbje Ekonomike. Nuk është bërë asnjë përpjekje që të ndryshohet struktura e ekonomisë qysh e bëjnë shtetet e tjera, t`iu jepet përparësi prodhueseve po ashtu një barazi sociale e t`iu ndihmohet atyre që kanë më së shumti nevojë, por, kanë shkuar tek pronarët e bizneseve. Për dallim nga Pako Emergjente e Qeverisë Kurti, kjo nuk e ka transparencën, nuk e ka formën se sa mjete shkojnë në secilin sektor. Edhe tarifat nxitëse për ZRrE-në janë në kundërshti MSA-në që Qeveria e ka nënshkruar në 2015-ën. Kjo është shkelje kushtetuese e drejtpërdrejtë sepse në situata krize qytetarët duhet të ndihmohen nga shteti e jo nga kursimet e veta”, u shpreh ajo.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ky projektligj ka arritur të miratohet me 72 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Votat qeverisë për ta kaluar këtë projektligj ia siguruan deputetët e PDK-së, të cilët propozuan katër amandamente shtesë.