Deputetët e LDK-së e mohojnë sulmin ndaj deputetit të Vetëvendosjes

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, Kujtim Shala e Doruntinë Maloku- Kastrati, kanë mbajtur një konferencë për media para Kuvendit, ku kanë mohuar akuzat se kanë sulmuar fizikisht deputetin e Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca.

Deputeti Arben Gashi, para gazetarëve tha se në korridor ka pasur gjuhë agresive nga deputetët Gjyshinca e Fitore Pacolli.

“Mbledhja ka qenë e tensionuar, në mes te deputetëve të Vetëvendosjes dhe ministres dhe me kryetaren e Komisionit.Ne si LDK nuk jemi përfshi në këto tensione. Ka pas një diskutim të Kujtim Shalës dhe pas diskutimit, Gjyshinca ka fillu me ofendime ndaj deputetit, për ketë arsye kryetarja ka vendosur për mbylljen e mbledhjes. Në diskutime në korridor, Gjyshinca dhe deputetja Pacolli shfaqen një gjuhë agresive dhe ne u larguam prej aty, kjo mund të shihet nga kamerat e kuvendit. Kjo po bëhet qëllimshëm për me demtu  reputacionin e Kuvendit”, tha Gashi.

Ndërsa edhe deputeti Kujtim Shala mohoi se ka sulmuar fizikisht deputetin e Vetëvendosjes.

“Nuk jemi konfrontu as fizikisht as verbalisht. I gjithë rasti nuk egziston dhe kjo do të dëshmohet nga kamerat”, tha Shala.

Deputetët e LDK-së po ashtu bënë të ditur se janë intervistuar nga policia në lidhje me incidentin.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli sot në një konferencë për media, ka thënë se pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, deputetët e LDK-së, Arben Gashi dhe Kujtim Shala kanë sulmuar deputetin e LVV-së Gazmend Gjyshinca.

Sipas Pacollit, e gjitha kjo ka ndodhur pas mosmarrveshjve në mbledhjen e komisionit në të cilën ka raportuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.

 

Deputetja e VV-së jep versionin e vet për incidentin në Kuvend me kolegët e LDK-së