Deputetët e AAK-së shpërndajnë pankarta në Kuvend kundër heqjes së tarifës

Deputetët Bekë Berisha dhe Gazmend Syla në seancën e jashtëzakonshme, e cila po mbahet sot rreth tarifës 100% ndaj mallrave serbe, kanë vënë në afërsi të foltores pankarta me mbishkrime të ndryshme.

Përmes këtij aksioni, AAK po kërkon që të mos hiqet tarifa pa njohje nga Serbia.

Dy nga pankartat kanë pasur mbishkrimin “Serbia nuk kalon”, ndërsa “Ku është kërkim falja, ku janë të pagjeturit?” ka qenë mbishkrimi i pankartës së tretë.

Me të njëjtat mbishkrime, të rinjtë e AKK kishin mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë me datën 24 shkurt.

Kuvendi i Kosovës sot është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme në lidhje me heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe.

AAK ka mbledhur 41 nënshkrime nga deputetët opozitarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën tha se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardhur në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se njoftimi nga kryeministri Albin Kurti për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk është i mjaftueshëm për administratën amerikane.

Në një postim në Twitter, Grenell ka thënë se nuk e mbështesin gjysmë-masën e kryeministrit Kurti.

“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë- dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.

Dje, Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga deputetët të përkrahin nismën e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë se LDK do ta mbështesë heqjen e saj për shkak se mendon se është në të mirë të Kosovës dhe jo sepse po e kërkon Amerika.

Ai më tej ka shkruar se derisa Kosova ka vendosur tarifë për shtetin serb, Serbia po sillet si viktimë në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka përkrahur Isa Mustafën në kërkesën e tij për heqjen e menjëhershme të tarifës.

Ai përmes një publikimi në Twitter ka thënë se heqja e tarifës do të ishte një nismë e shkëlqyer për përparim ekonomik të Kosovës.

“Nismë shumë e mirë. Isa Mustafa është një udhëheqës i guximshëm. Heqja e tarifës nesër një fillim i shkëlqyeshëm për më shumë përparim dhe do të lëvizte shpejt. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”, ka shkruar Grenell.