Seanca gjyqësore në rastin e deportimit të 6 shtetasve turq (19.09.2022), Foto: KALLXO.com

Deportimi i 'Gylenistëve', ish-shefi i AKI-së dhe të tjerët përballen me deklaratat e policëve që morën pjesë në aksion

Ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi dhe drejtori i Departamentit të Shtetësisë dhe Azilit, Valon Krasniqi, së bashku me drejtorin e Migracionit, Rrahman Syljemani, u ulën përsëri sot në bankën e të akuzuarve për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Të akuzuarit, sot u përballën me deklaratat e policëve që kishin marrë pjesë në aksionin për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Të dy policët deklaruan se urdhrat fillestare që kishin marrë nga eprorët e tyre ishin shoqërimi i atyre personave në drejtorinë e Policisë për migrim dhe të huaj e gjatë rrugës urdhri është ndryshuar dhe personat janë dërguar në Aeroportin e Prishtinës.

“Ne jemi nis për drejtori e pastaj rrugës kolegu më ka njoftuar se ka biseduar me një nga mbikëqyrësit dhe na kanë njoftuar se për të njëjtin ka vendim për largim me forcë dhe jemi drejtuar direkt në aeroport” – tha dëshmitarja Arta Dushollovi.

Mbrojtësi i viktimave, avokati Urim Vokshi, që përfaqësonte familjarët e të deportuarve pyeti dëshmitarët se gjatë shoqërimit të atyre personave në makinë të policisë a janë njoftuar ata me të drejtat e tyre.

E të njëjtën pyetje e bëri edhe anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Musa Konxheli.

“A i keni zbatuar dispozitat ligjore” – pyeti gjyqtari, “po unë mendoj që po” – u përgjigj dëshmitari Rrustem Halimi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm lirinë e gjashtë shtetasve turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u deportua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.