Deportimi i gylenistëve: Dy vjet nga operacioni që vazhdon të mbetet misterioz

Janë bërë dy vjet nga deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u p%rcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u deportua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhje e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Deri më tani drejtësia kosovare ende nuk e ka dhënë asnjë fjalë për këtë rast, ani pse komisioni hetimor parlamentar në raportin e tij ka konstatuar 31 shkelje ligjore, Avokati i Popullit ka konstatuar se është shkelur Kushtetuta, e edhe eksperti amerikan Tienmu Ma konstatoi 31 shkelje ligjore.

Edhe sot pas dy vitesh rrethanat e deportimit të 5 mësuesve dhe një doktori mbeten mister i pazgjidhur.

Plot 2 vjet apo 731 ditë pikëpyetje e terr rreth këtij rasti.

Operacioni i planifikuar 17 ditë, rezultoi me 31 shkelje ligjore

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova nuk ishte i rastësishëm. Institucionet e Kosovës për ta organizuar këtë plan kanë punuar 17 ditë, thotë eksperti amerikan Tienmu Ma.

Në bazë të raportit të ekspertit amerikan Tienmu Ma, të angazhuar nga komisioni hetimor parlamentar shkelja më e rëndë e cila ka ndodhur është se institucionet e Kosovës me vetëdije të plotë kanë deportuar gabimisht shtetasin Hasan Huseyin Gunakan në vend të Hasan Hysein Demir.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të këtij viti, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Për këtë operacioni AKI sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë(AKI), në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Mirëpo, raporti i ekspertit amerikan Tienmu Ma konstaton se gjashtë shtetasit e deportuar në marsin e vitit 2018 nuk paraqisnin rrezik për kryerjen e një sulmi terrorist ose ndonjë akti tjetër të dhunshëm në Kosovë.

Këtë konstatim ai e nxjerr duke u bazuar në dëshminë e ish-shefit të AKI-së Driton Gashit dhe në faktin që në operacion nuk kanë qenë të angazhuar shumë policë për shkak të ‘mosrrezikshmërisë’ së personave, si dhe në faktin se AKI-ja ka pritur një javë për t’i kërkuar policisë dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Madje mbi këtë bazë, Gashi me 22 mars, i kishte dërguar një shkresë ministrit të atërshëm të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, me ç’rast kishte kërkuar nga ai revokimin e lejeve të qëndrimit ndaj shtetasve turq.

Nga pesë shtetasit, tre prej tyre posedonin leje qëndrimi të përhershme (Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Karhaman Demirez), ndërsa dy prej tyre (Hasan Hysein Demir dhe Cihan Ozkan) posedonin lejeqëndrimi të përkohshme.

Shtetasit të gjashtë Osman Karakaya i kishte skaduar lejeqëndrimi i përkohshëm andaj me 27 mars 2018, i njëjti kishte aplikuar për vazhdimin e leje-qëndrimit.

Operacioni për deportimin e tyre kishte filluar në mëngjesin e 29 marsit 2019, qysh në orën 7:00, ku fillimisht ishte bërë shpërndarja nëpër terren e ekipeve policore, të ndarë në gjashtë ekipe, në dy lokacione të ndryshme (në lagjen Marigona në Lipjan si dhe në qytetin e Gjakovës) ndërsa në ora 10:50 të po asaj dite ata ishin deportuar për në Turqi.

Në mes të një situate të ‘mjegullt’, ku asnjë nga zyrtarët e shtetit nuk mori përgjegjësinë për dhënien e urdhrit për një operacion të tillë, drejtori e AKI-së, ai i  Policisë së Kosovës, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj u shkarkuan nga kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj.

Megjithatë, nuk shkoi shumë kohë e duket se të dy drejtorët u ‘shpërblyen’. Driton Gashi u emërua sekretar në Presidencën e Kosovës, ndërsa Shpend Maxhuni u emërua kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, nga i cili dha dorëheqje një vit më vonë.

‘Misteri’ i përfshirjes së presidentit Thaçi

Përderisa krerët shtetërorë deklaronin se nuk kishin informacione për operacionin 17 ditor, president turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se operacioni kundër lëvizjes gyleniste në Kosovë nuk ka qenë as i pari e as i fundit.

Ai madje e falëndëroi  presidentin Thaçi, ndërsa e kritikoi kryeministrin Haradinaj.

“Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘turp’. Largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Ata bënë detyrën e tyre”, ka thënë Erdogan.

Më 28 qershor të vitit 2018, me propozimin e 40 deputetëve, Kuvendi votoi për themelimin e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Që nga themelimi i tij, komisioni pati probleme të shumta si: mungesa e gatishmërisë së institucioneve për të dorëzuar materialet, mungesa e kuorumit brenda komisionit, mungesa e liderëve në ditën e intervistimit, madje këtij komisioni një herë i skadoi edhe mandati.

Komisioni i përbërë nga Xhelal Sveçla (LVV), Anton Quni (LDK), Driton Selmanaj (LDK), Muharrem Nitaj (AAK), Sami Kurteshi (LVV), Haxhi Shala(NISMA), Frashër Krasniqi (PSD), Ganimete Muliu (PDK) si dhe Hajdar Beqa (PDK), arriti ta përfundojë raportin më 15 maj 2019.

Për këtë rast, u intervistuan të gjithë akterët e përfshirë, po ashtu edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili shkoi pas 4 herë refuzimesh.

Më 26 prill 2019, ndarja e pushteteve, e cementuar në Kushtetutë dhe dokumente tjera ligjore, ishte sfiduar në një sallë të vogël të ndërtesës së Kuvendit, në një polemikë të tejzgjatur mes presidentit dhe disa deputetëve opozitarë.

Edhe pse intervistimi ishte thirrur për “gylenistët”, SHIK-u, UÇK-ja e nepotizmi, nuk u lanë pa u përmendur nga ana e presidentit si dhe vetë deputetëve.

Debati eskaloi deri në atë formë sa që deputetët dhanë cilësime të ndryshme për njëri-tjetrin, dikush ‘mercenarë’, dikush ‘zvarranik’, e dikush ‘i poshtër’, ishin këto disa nga cilësimet që presidenti dhe deputetët ia adresuan njëri tjetrit.

Në këtë takim u diskutuan pothuajse të gjitha temat, përveç temës për të cilën qe thirrur presidenti, i cili vazhdimisht kishte ‘sfiduar’ me pyetje anëtarët e komisionit.

Asnjëri nga deputetët përveç ish-deputetit Frashër Krasniqit nuk e pati mundësinë ta pyeste presidentin për ‘rolin’ e tij në deportimin e gjashtë shtetasve turq, mirëpo edhe pyetja e këtij të fundit hasi në ‘veshin e shurdhër’ të presidentit.

Presidenti as atë ditë e asnjëherë tjetër nuk e sqaroi rolin e tij në këtë operacion për të cilin kishte marrë lavdatë nga homologu turk.

Deputetët e opozitës në komisionin hetimor përmes një konference për media thanë që kanë ardhur në një konstatim që ‘urdhërdhënësi’ për deportimin e gjashtë shtetasve turq është pikërisht presidenti Hashim Thaçi.

 

Çka ka bërë drejtësia për këtë rast?

Komisioni hetimor parlamentar i themeluar me qëllim të hetimit të këtij rasti, më 15 maj të vitit 2019, ka dorëzuar një raport me 31 shkelje ligjore te Prokuroria Speciale.

Pas po thuajse 10 muajsh KALLXO.com kërkoi informacione nga Prokuroria për të kuptuar se çfarë hapash janë ndërmarrë me qëllim të zbardhjes së këtij rasti, mirëpo në një përgjigje të pranuar nga zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Ekrem Lutfiu, na është thënë që rasti është në fazën e hetimeve.

“Rastet të cilat janë në fazë të hetimeve nuk i komentojmë”, ka thënë shkurt ai.

Në një raport të publikuar më 17 prill 2018, Avokati i Popullit ka konstatuar se në rastin në fjalë autoritetet e Republikës së Kosovës, duke i dëbuar shtetasit turq, ata i ekspozuan në rrezik real për t’iu nënshtruar torturës, keqtrajtimit fizik dhe rrezikut real për shkelje serioze të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës.

E sot pas dy viteve, në një përgjigje për KALLXO.com Avokati i Popullit, Hilmi Jashari është shprehur i pakënaqur me punën që është bërë në këtë drejtim.

“Avokati i Popullit nuk mund të jetë i kënaqur me punën e organeve kompetente përderisa këto organe nuk identifikojnë dhe sjellin para drejtësisë personat përgjegjës për këto shkelje të të drejtave themelore të njeriut të garantuara me konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor. Deri në ditën e sotme kjo gjë nuk ka ndodhur”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova vazhdon të ketë imazhin e dëmtuar në botë pas këtij deportimi.

“Konsideroj se çdo shtet i cili kryen shkelje serioze të të drejtave themelore dhe lirive të njeriut, sidomos kur me veprimet dhe mosveprimet e tij i ekspozon qytetarët e vet apo të huaj para rrezikut që t’i nënshtrohet torturës apo trajtimeve tjera ndëshkuese dhe poshtëruese, seriozisht dëmton imazhin e tij në raport me obligimet ndërkombëtare dhe në raport me vet qytetarët e tij”, ka thënë tutje ai.

Përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte ngritur shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik.

Ky reagim i ambasadës së ShBA ishte mbështetur edhe nga Ambasada e Britanisë së Madhe si dhe ajo e Gjermanisë në Prishtinë.

Ndonëse u bë shumë zhurmë, u konstatuan shumë shkelje, pati shumë reagime si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, edhe sot pas 2 viteve ende nuk është hedhur dritë mbi këtë rast dhe deportimi i shtetasve turq vazhdon të mbetet mister në vete.

 

 

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.