Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Departamenti i Shtetit: Ministria e Ekonomisë monitoroi me 'dorë të lehtë' ndërmarrjet publike

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka quajtur të butë monitorimin e veprimtarisë së ndërmarrjeve publike nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Kjo është evidentuar në raportin e DASh-it, për klimën e investimeve në botë për vitin 2020.

“Kosova ka 63 ndërmarrje publike, 44 prej të cilave menaxhohen nga komunat. Këto ndërmarrje janë një trashëgimi e epokës Jugosllave dhe përfshijnë subjekte të përfshira në telekomunikacion, menaxhim të mbeturinave, furnizim me ujë, miniera dhe transport. NP-të zakonisht qeverisen nga bordet e emëruara nga qeveria. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit monitoron veprimtaritë e NP-ve me një dorë të lehtë”, thuhet në raportin e DASh.

Në raport potencohet se shumica e Ndërmarrjeve të Kosovës ose janë të rregulluara ose veprojnë me humbje dhe varen nga subvencionet qeveritare për mbijetesën e tyre.

“NP-të nuk marrin një përqindje më të madhe të kontratave qeveritare në sektorë që janë të hapur ndaj konkurrencës së huaj. Sidoqoftë, qeveria interpreton Ligjin e prokurimit në një mënyrë që i konsideron NP-të si autoritete publike dhe parandalon autoritetet kontraktuese të prokurojnë mallra nga burime të tjera nëse NP-të ofrojnë mallra dhe / ose shërbime të tilla. NP-të blejnë mallra dhe shërbime nga sektori privat, duke përfshirë firmat ndërkombëtare”, vazhdon raporti i DASh.

Edhe programi i privatizimit është përmendur në raportin e publikuar nga DASh. DASh ka thënë se Kosova ka privatizuar në mënyrë progresive asetet e ndërmarrjeve publike që nga fillimi i viteve 2000 dhe se Agjencia e Privatizimit e Kosovës (AKP) është përgjegjëse për shitjen e aseteve të ndërmarrjeve publike të Kosovës.

Sipas raportit, AKP ka në plan të finalizojë të gjitha privatizimet e mbetura gjatë tre deri në katër vitet e ardhshme dhe se ka pasur një ngrirje të privatizimit të pasurive të tokës që nga dhjetori 2017.

“Procesi i privatizimit është i hapur për investitorët e huaj dhe ndjek procedurat e prokurimit publik të Kosovës. AKP-ja ofron një informacion të drejtpërdrejtë të procedurave të ditës së ofertave në faqen e saj zyrtare. Faqja e tyre zyrtare gjithashtu përfshin informacione mbi ofertat, rezultatet e shitjeve dhe informacione të tjera”, thuhet në raport.

Kosova miratoi Ligjin për Investime Strategjike në 2016 në një përpjekje për të rritur investimet e huaja direkte. DASh në raportin e saj ka theksuar se përmes ligjit, qeveria mund të transferojë pronësinë e tokave nën administrim të AKP-së te shteti dhe t’ia ofrojë atë investitorëve strategjikë.

“Ligji gjithashtu i mundëson Kosovës të negociojë drejtpërdrejt me investitorë të mundshëm strategjikë pa kaluar nëpër procedura tenderimi në raste të veçanta. Media ka kritikuar disa procese të tenderimit si jo-transparente dhe të paligjshme”, përfundon raporti.