Persona të paidentifikuar të armatosur në Siri, botuar nga propaganda terroriste e ISIS.

Departamenti Amerikan i Shtetit përgëzon Kosovën në luftën kundër terrorizmit

Departamenti i Shtetit Amerikan sërish ka thurur lavde për Kosovën kundër luftimit të terrorizmit për vitin 2018.

Ky raport ka përmendur detaje të punës së institucioneve për kthimin e kosovarëve në zonat e luftës në Siri.

“Kosova vazhdoi të luftojë kërcënimin e terrorizmit përmes bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova është anëtare e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in. Më shumë se 400 burra, gra dhe fëmijë kosovarë dihet që kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me grupet terroriste, nga të cilat afro 70 janë të vdekur. Rreth 130 individë janë kthyer në Kosovë, ndërsa rreth 200 mbeten në zonën e konfliktit. Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës vazhdoi të zbatojë strategjinë e saj gjithëpërfshirëse të CVE dhe azhurnoi planin e saj të veprimit. Në vitin 2018, qeveria miratoi strategjinë e saj të tretë kundër terrorizmit dhe planin e veprimit për 2018-22”, thuhet në raport.

Këtij raporti i është gëzuar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Më gëzon fakti që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, si shtet që ka bashkëpunuar me SHBA-në në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësohet si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS-it. Kapitulli për Kosovën numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”, ka shkruar Thaçi përkrah raportit të Departamentit të Shtetit.

Ai tutje ka thënë se, ‘Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë’.