Denoncuesi i prokurorit Ramiz Buzhala rrëfen se si e trajtojnë në Gjykatën e Gjakovës

Ruzhdi Ramadani, vëllai i Mentor Ramadanit, i cili vite më parë kishte denoncuar një prokuror se e kishte udhëzuar që të tërhiqej nga një ndjekje penale sot ka rrëfyer se si trajtohet kur merr pjesë në seanca gjyqësore në Gjykatën e Gjakovës. 

“Sjelljet janë interesante, unë jam rast i veçantë. Kur shkoj në gjykime kam trajtim prej krejt personave ndryshe. Kontrollat ndaj meje janë ekstreme, shkojnë deri në atë pikë që edhe pjesën e patikave ma kontrollojnë”, tregon Ruzhdi Ramadani. 

Tre vite më parë, me anë të një hulumtimi të transmetuar në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’, përmes një video incizimi, u raportua për mënyrën se si prokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale e pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Përpos publikimit të këtij video incizimi, KALLXO.com me shkresë të veçantë e ka informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për sjelljen e prokurorit Buzhala.Disa muaj pas këtij raportimi është kuptuar se ndaj prokurorit Buzhala, tashmë ishte shqiptuar një masë disiplinore për rastin në fjalë.

Në anën tjetër sonte në emisionin Kallxo Përnime u transmetuan dyshimet e vëllezërve Ramadani në lidhje me falsifikimin e kontratës së punës së Mentor Ramadanit nga ish- shefi i tij Kadrush Rexhepi. 

Pesë vite më parë, Mentor Ramadani kishte pësuar një aksident në vendin e tij të punës në Gjakovë. 

Nga ajo kohë, Mentori edhe sot nuk mund të ec me këmbën e tij të majtë për shkak të ndërhyrjeve të shumta kirurgjike që ka pasur në të. Ai në emisionin e sotëm ka rrëfyer se ende nuk ka përfunduar rasti në lidhje me kompensimin e dëmit ndaj tij deri sa shpjegon se një tjetër rast është hapur në Prokurorinë Themelore në Ferizaj kësaj radhe për falsifikim të kontratës së tij të punës. 

Mentor Ramadanit ngriti dyshimet se ndaj ish- shefit të tij Kadrush Rexhepit në Prokurorinë Themelore në Ferizaj është ngritur aktakuza për falsifikim të kontratës së tij ndërsa shton tutje se Rexhepi është ‘amnistuar’ nga një vepër tjetër penale e cila është më e dënueshme se ajo e falsifikimit. 

Avokati i Mentor Ramadanit, Burhan Qosa ka treguar se çka nuk trajtoi prokurori Valdet Avdiu. 

“Vetëm sa e kuptova që e ka marrë pala e dëmtuar aktakuzën dhe shoh që e ka marrë njoftimin që gjykata e ka njoftuar prokurorinë në Ferizaj ku ka kërkuar nga prokuroria që ndaj Kadrush Rexhepit të zhvillohet procedurë hetimore për veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë. është fakt që gjatë zhvillimit të një procedure hetimore në Gjakovë për një vepër penale ku është i akuzuar Kadrush Rexhepi aty i njëjti ka dorëzu dy kontrata si prova materiale që pala në këtë rast klienti im ka punuar dhe ka qenë i lajmëruar dhe ka nënshkruar dy kontrata dhe në kontrata janë dy nënshkrime të ndryshme”, tha avokati Qosa. 

Ai tutje shtoi se në dy kontrata të ndryshme figurojnë nënshkrime të ndryshme të cilat janë falsifikuar ndërsa paga e klientit të tij është ndryshuar pas aksidentit. 

“Aty e kemi kuptuar që kontrata është bërë përvec falsifikim i nënshkrimit është bërë edhe një pjesë e legalizimit të pavërtetë për pagën mujore. Pala ime pretendon se ka pasur rreth 700 euro ka arritur me i marrë pagë mujore ndërsa kur është aksidentuar ata e kanë bërë një kontratë formulare dhe në njërën anë ka nënshkruar Kadrush Rexhepi ndërsa në anën tjetër e ka nënshkru një person tjetër dhe e ka legalizuar kontratën në ATK dhe këtu konsideroj që janë konsumuar elemente të veprës penale legalizim të përmbajtjes së rreme sepse i dëmtuari ka pasur një pagë rreth 700 euro ndërsa në ATK kontrata nga i akuzuari është lëgalizuar për qëllime që veç ai i di, për të përfituar në zbutje të situatës”, shtoi Qosa tutje.