Drejtorë të departamenteve të Policisë së Kosovës, Foto: PK

Denoncimi i Xhelal Sveçlës: Ke zyrtarë të Policisë të cilët nuk e kanë kaluar verifikimin e sigurisë

Ish-ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Qeverisë Kurti, Xhelal Sveçla, ka thënë se zyrtarë të Policisë, madje edhe prijësit e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, nuk e kanë kaluar verifikimin e sigurisë, ani se kanë qenë pjesë e institucioneve të sigurisë.

“Kush e ka fjalën e fundit për verifikimin e sigurisë? Kush është ai institucion kredibil? Ke edhe ma keq, ke zyrtarë të Policisë të cilët nuk e kanë kaluar verifikimin e sigurisë dhe janë promovuar në detyrë. Bile-bile ka edhe më keq, kanë shkuar, kanë udhëhequr vetë AKI-në. Këtu është një mishmash i madh i cili zgjidhet vetëm kur institucionet të shkapen. Këtu ke një pajtim heshtjeje”, ka deklaruar Sveçla në “Kallxo Pernime”.

Kritika për verifikimin e sigurisë ka dhënë edhe kandidati për deputet nga LDK, Nuredin Ibishi.

 

Ai ka thënë se verifikimi i sigurisë, i cili bëhet nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë, bëhet me pazare.

“Verifikimi i sigurisë është futur në ligje që të bëhet nga AKI-ja, Departamenti për verifikimin e sigurisë. E aty, bëhen pazaret. Sepse, drejtori i AKI-së kërkon që të nënshkruajë në fund kur të bëhet verifikimi i sigurisë, e ne po themi që drejtori i AKI-së bëhet prej presidentit ose prej kryeministrit, ata merren vesh, aty pastaj ka implikime politike”, ka thënë Nuredin Ibishi.