Ndërtesa e Telekomit të Kosovës Foto: KALLXO.com

Denoncimi i Shatrit: Punëtori i Telekomit nuk dilte në punë, tash paguajmë në Arbitrazh

Rreth 13 milionë euro është gjoba që pritet ta paguajë “Telekomi i Kosovës” ndaj kompanisë “Z-Mobile”, pasi humbi rastin e dytë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Njëra prej pikave në vendimin e Arbitrazhit thotë se grumbullimi i dëmit që Telekomi ia ka bërë “Z-Mobile” duke mos ia alokuar me kohë sim-kartelat. Siç është thënë në vendim, janë pesë porosi të sim-kartelave që kanë pasur vonesa dhe për të cilat kompania ka kërkuar 2.1 milionë euro ose 5 mijë euro në ditë.

Ish-kryesuesja e bordit të Telekomit në kohën kur është vendosur që mos të vazhdohet kontrata mes ndërmarrjes publike dhe “Z-Mobile”, Besa Shatri, ka thënë se për vonesat me furnizim të sim-kartelave e kishin kuptuar pas një  letre që vetë kompania ia kishte drejtuar bordit.

“Këtë çështjen e vonesave ne e kemi marrë vesh me një takim të bordit që ka qenë takimi i dytë mos të gaboj, ku “Z-Mobile” ka dërguar një letër direkt te bordi i drejtorëve dhe përmes asaj letre jemi njoftuar që ka kërkesa të “Z-Mobile” që nuk janë plotësuar. E morëm vesh prej kompanisë që ka kërkesë për furnizim kartela”, ka thënë ajo në KallxoPernime.

Por, Shatri tha se ishin marrë masa për njerëzit përgjegjës për këtë lëshim, që sot Telekomit mund t’i kushtoj mbi 2 milionë euro.

“Personi kyç që është dashtë me kry furnizimin nuk ka dalë fare në punë. Ne kemi marrë masa, e kemi ndërruar projekt menaxherin e kontratës, prej momentit kur e kemi kuptuar. Ka qenë një atmosferë jo e leverdishne për Telekomin për të funksionuar. Tash dëmi është i faktuar dhe Telekomi mund të marrë ende masa”, tha tutje ajo.

Shatri tha se më pastaj, kërkesat e kompanisë janë kryer janë furnizuar me sim-kartela.

Në lidhje me këtë problem, ish-kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi ka thënë se nuk kishte informacion.