Denoncimi i Muhamet Idrizajt: Si mu ndalua hyrja në Konsulatën e Hamburgut

Muhamet Idrizi, emri i të cilit u përmend nga Gramos Begolli, konsull i Përgjithshëm në Hamburg, se “ka shkuar në 14 vjetorin e festimit të pavarësisë i paftuar”, ka treguar se çfarë ka ndodhur në këtë ngjarje, sipas tij.

Idrizi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se ftesën nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ), Donika Gërvalla e ka marr ai si kryetar i Shoqatës Oda Hamburg e.V. dhe një përfaqësues i Klubit të futbollit “Kosova Hamburg”.

Për të marrë pjesë në këtë ngjarje, Idrizi së bashku me pjesëmarrësin tjetër kishin arritur tek objekti i konsullatës rreth orës 15:45, por që nuk i ishte hapur dera, deri sa kishte arritur ministrja Gërvalla.

“Më datë 17 shkurt, 15:45 kemi arritur para konsullatës ku nuk na është lejuar hyrja deri sa ka ardhur ministrja Gërvalla, e cila me të arritur ka thënë që edhe ne mund të hymë në objekt”, tha ai.

Ai ka treguar se çfarë ka ndodhur në këtë ngjarje, sipas tij i pari që kishte hapur këtë ngjarje kishte qenë Gramos Begolli, i cili mbante pozitën e Konsullit të Përgjithshëm.

E pas Begollit, Idrizi ka thënë se fjalën e kishte marrë kryediplomatja Gërvalla.

Pas Gërvallës, siç tregon ai, Xhelil Musa kishte prezantuar biografinë e tij të titulluar “Magjistari që gërshetoi Lindjen me Perëndimin”.

Tutje ai ka thënë se me qenë se në ngjarje kishin qenë edhe dy të ftuar gjerman, ministrja Gërvalla kishte marrë edhe një herë fjalën duke folur gjermanisht.

E krejt në fund ministrja Gërvalla, siç tregon Idrizi ia ka dhënë fjalën atij.

Prania e Idrizit, e edhe fjalimi nuk i kishin pëlqyer aspak Begollit, i cili kishte shkuar në drejtim të Idrizit duke i bërtitur e duke i thënë se tani e tutje “kanë problem personal”.

“Ai ka ardhur afër meje duke më thënë se tani kemi problem personal, njerëzit afër kanë filluar ta fyejnë Begollin për skenën e krijuar”, ka thënë ai.

Idizi ka thënë se për të qetësuar situatën, ministres Gërvalla i është dashur t`i ftoj në një takim 10 minutësh të gjithë stafin e konsullatës.

“Pastaj ministrja i ka ftuar në takim 10 minuta të gjithë stafin e ambasadës duke i kërkuar që të kenë kujdese për sjelljen, dhe me t`u kthyer nga takimi nuk ka pasur ndonjë problem tjetër”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Begolli kishte aluduar se ministrja Gërvalla kishte shtuar Muhamet Idrizin, sepse ai është përkrahës ose anëtar i “Listës Guxo”, por një gjë e tillë është mohuar nga Idrizi.

“Unë nuk jam anëtarë i Listës Guxo ose ndonjë partie tjetër, sepse si zyrtar i shtetit gjerman nuk me lejohet me qenë pjesëtar i një partie politike të një shteti tjetër. Konsullin Gramos Begolli e kam takuar vetëm një herë në një takim të përbashkët”, ka theksuar ai.

KALLXO.com ka kontaktuar Gramos Begollin në lidhje me pretendimet e Idrizit, mirëpo i njëjti ka mohuar të ketë pasur ndonjë incident me të, por vetëm ka thënë se Idrizit ia ka theksuar se “nuk ka qenë i ftuar në ngjarje”.

Gramos Begolli, më datën 18 shkurt, përmes një emaili të dërguar kryeministrit Albin Kurti ishte ankuar për sjelljen e ministres Gërvalla në ngjarjen e 17 shkurtit.

Sipas tij, ministrja Gërvalla një ditë para mbajtjes së ngjarjes i ka dërguar një mesazh në “Whatsapp” për t`i kërkuar që në listë të futet Muhamet Idrizi.

“Personi në fjalë udhëheq një shoqatë shqiptare dhe është i afërt me znj. Gervalla dhe Listën Guxo. Unë shkrova prapë në atë numër dhe kërkova që të gjitha kërkesat zyrtare të bëhen përmes rrjeteve zyrtare të komunikimit sipas rregulloreve në fuqi”, ka shkruar ai në letrën dërguar Kurtit, e të siguruar nga KALLXO.com.

Begolli, thotë që të nesërmen në konsullatë pa ndjekur protokollin zyrtar ishte përkujdesur që të vije vet ministrja Gërvalla ku edhe e kishte ftuar në një takim të shkurtër.

“Në këtë mënyrë është shkelur protokolli diplomatik në relacion me shtetin mik të Gjermanisë. Më pas, unë u ftova për një bisedë në zyrë, me ç‘rast Ministrja më akuzoi për mos dëgjueshmëri dhe më tha se unë nuk do të flas në event, por do të flet vet ministrja si dhe Muhamet Idrizi”, ka shkruar tutje ai.

Tashmë ish-shefi i Misionit Konsullor i akredituar në Hamburg, Gramos Begolli pretendon se ministrja Gërvalla e ka shndërruar në ngjarje partiake e private organizimin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Ajo e hoqi nga agjenda e eventit një diplomat të akredituar dhe përfaqësues të institucioneve dhe e zëvendësoi me një aktivist partiak. Për më tepër, ministrja erdhi në Gjermani duke shkelur protokollin diplomatik të shtetit të Gjermanisë si dhe atë të Kosovës duke udhëtuar në mënyrë private për të marrë pjesë në një event zyrtarisht të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

Kallxo.com ka kontaktuar ministren Gërvalla për pretendimet e Begollit, mirëpo e njëjta nuk ka dhënë përgjigje.

Ndërsa dje përmes një vendimi, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ), Donika Gërvalla ka marrë vendim për lirimin e nga detyra të Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Hamburg, Gramos Begolli.

Ministrja Gërvalla shkarkon nga detyra Gramos Begollin, konsull në Hamburg