Denoncimi i kryeprokurorit të Ferizajt: Policia nuk më ktheu përgjigje kur kërkova policë shtesë

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, në një intervistë për “Kallxo Pernime” ka thënë se gjatë vitit të kaluar, kur kërkoi policë shtesë për një hetim që institucioni i tij po bënte, nuk ka pranuar përgjigje fare nga një drejtor policie në Prishtinë.

“Unë kam kërkuar me e-mail prej një drejtori të Policisë në Prishtinë, nuk më ka kthyer e-mail, kam kërkuar që tre policë me i kthyer në njësitin ku mua më ka vy, është fjala për njësitin anti-drogë. Kurrë ai drejtor i Policisë nuk më është përgjigjur edhe unë s’kam bërë më kërkesë”, ka thënë Jashari për KALLXO.com.

Ai ka shpjeguar se i kishte të nevojshëm policët për hetimet që po bënin, por si përfundim kishte mbetur pa përgjigje.

 

“Kjo i bie që unë ka pasur nevojë për punëtorë shtesë të Policisë, kam kërkuar nga drejtori të Policisë, s’është me rëndësi me përmend emrin, i kam kërkuar me i kthy tre zyrtarë policorë, pasi në atë kohë kemi qenë duke hetuar një rast, ai nuk më është përgjigje asnjëherë dhe ka vazhdua me avazin e vjetër. Mua nuk ma kanë kthy e-mailin dhe i kam njoftuar ata zyrtarë policorë”, tha ai.

Ai ka thënë se për këtë nuk është ankuar fare.

“Është e drejtë e imja me kërku policë shtesë, mirëpo a u përgjigjen ata kërkesave të mia apo jo, është çështje tjetër. Unë po mendoj që ata e kanë vlerësuar që më e rëndësishme ka qenë shëndeti i njerëzve, për shkak të pandemisë, sesa kërkesa ime. Nuk e kam njoftuar dikë tjetër”, ka deklaruar kryeprokurori Jashari.