“Dënojeni Trumpin, ose dhuna mund të përsëritet”

 

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara i përfunduan argumentet kundër ish-presidentit Donald Trump, duke u bërë thirrje senatorëve ta dënojnë atë për nxitjen e sulmit të turmës në Kongres.

Senati amerikan ka nisur këtë javë gjykimin e ish-presidentit, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”.

Sipas menaxherëve të procedurave të fajësimit, që veprojnë si prokurorë, retorika e rreme dhe e zjarrtë e tij për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, ka bërë që mbështetësit e tij ta sulmojnë Kongresin, më 6 janar.

Sulmi ka ndodhur derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.

“Nëse nuk luftoni si ferr, nuk do të keni më shtet”, u ka thënë Trump mbështetësve të tij atë ditë.

“Me përulje ju kërkojmë ta fajësoni presidentin Trump për krimin e kryer”, tha përfaqësuesi demokrat, Joe Neguse.

“Nëse nuk e fajësoni, nëse pretendojmë se kjo nuk ka ndodhur – ose, edhe më keq, nëse e lëmë pa përgjigje – kush thotë se nuk do të ndodhë përsëri”, pyeti ai.

“Askush nga ne nuk e ka imagjinuar se do të përballeshim me rrezik vdekjeprurës nga një turmë e nxitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha përfaqësuesi tjetër demokrat, David Cicillin.

Ai po ashtu tha se disa protestues të dhunshëm kanë pranuar se kanë planifikuar të vrasin ish-nënpresidentin Mike Pence dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ndërsa të tjerët, sipas tij, kanë folur për vendosjen e ligjvënësve në bodrum dhe për “lëshimin e gazit”.

Avokatët e Trumpit do të kenë 16 orë kohë për të paraqitur mbrojtjen e tyre, nisur nga sot, megjithëse disa ndihmës kanë thënë se ata mund t’i përfundojnë argumentet e tyre brenda një dite.

Votimi në Senat, për fajësimin ose jo të Trumpit, mund të zhvillohet më 13 shkurt.

Sipas një sondazhi të kryer nga ABC News dhe Qendra e Kërkimeve Ipsos, shumica e amerikanëve – 56 për qind – duan që Senati amerikan ta dënojë Trumpin dhe, në këtë mënyrë, ta ndalojë atë të udhëheqë ndonjë zyrë publike në të ardhmen.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për shkarkimin e Trumpit pak ditë para se ai të përfundonte mandatin presidencial, më 20 janar.

Për ta shpallur fajtor atë duhen dy të tretat e votave të Senatit 100-anëtarësh.

Fajësimi duket se nuk ka gjasa, pasi shumica e senatorëve republikanë i kanë qëndruar besnikë ish-presidentit.

Duke iu bërë jehonë qëndrimeve të tyre, senatori Marco Rubio tha për Fox News se sulmi në Kongres ishte “i tmerrshëm”, porse fajësimi i Trumpit nuk është i përshtatshëm, duke qenë se ai nuk është më në detyrë.

Në vitin 2019, Trump është përballur edhe me një proces tjetër të gjykimit, nën akuzat se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili pritej të ishte rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020. Senati nuk e ka fajësuar Trumpin në atë proces./REL