Ilustrim

Dënohet veterani i rrejshëm dhe miku i tij

Gani Manaj dhe Ismet Isufi janë dënuar sot nga Gjykata e Pejës, njëri se falsifikoi dokumentet për tu bërë veteran i luftës dhe tjetri se i ndihmoi në këtë proces.

Gani Manaj, akuzohet se ka prezantuar dokument të falsifikuar me qellim të përfitimit të pagës se statusit të veteranit luftëtar.

Ndërsa Ismet Isufi nga Skenderaj, po akuzohet se e ka këshilluar dhe udhëzuar Gani Manajn, të cilin e ka mik të vëllait, për mënyrën e sigurimit të dokumenteve të falsifikuara për statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Gani Manaj është dënuar nga gjykata me 8 muaj burg ashtu që dënimi nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër të re penale në afat prej 1 viti.

Po ashtu të njëjtit i është shqiptuar dënimi plotësues, kompensimi i dëmit në vlerë prej 1530 euro, si dhe urdhri për publikim të aktgjykimit.

I akuzuari Ismet Isufi u dënua me 4 buaj burg ashtu qe dënimi nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër të re penale në afat prej 1 viti. Isufit iu shqiptua edhe dënimi plotësues për publikim të aktgjykimit.

Të akuzuarit paraprakisht e kanë pranuar fajësinë për veprat penale .

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja e rastit Lumturije Vucetaj.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Për hetimin e këtyre dosjeve Prokuroria e Pejës ka caktuar dy prokurorë me vendim.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur mbi 40 aktakuza lidhur me këtë dosje.

Prokuroria e Pejës me mbi 4 mijë dosje të ‘veteranëve të rrejshëm’, intervistohet zinxhiri komandues