Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dënohet Shpejtim Bulliqi për sulmin me grushte ndaj një qytetari në QKMF

Gjykata e Prishtinës e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 500 euro gjobë kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës se Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se ndaj të akuzuarit gjykata ka shqiptuar urdhër ndëshkimor.

Në bazë të aktgjykimit, Bulluqi është dënuar me gjobë prej 500 euro, por në rast të mospagesës, gjoba do t’i zëvendësohet me burgim.

Bulliqi gjithashtu është i obliguar që të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 20 euro për ekspertizën mjeko-ligjore, në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të paguaj shumën prej 30 euro pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi u gjet fajtor se më 9 shkurt 2021, rreth orës 9 e 35 të mëngjesit në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare pas një mosmarrëveshje gojore me R. Z., tani i dëmtuar, me dashje i ka shkaktuar lëndim trupor duke e goditur me grushte.

Të dëmtuarit sipas ekspertizës mjeko-ligjore i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Më 10 shkurt 2021, Policia kishte filluar hetimet ndaj kryetarit të Podujevës. Rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor ndërsa viktima kishte pranuar edhe tretman mjekësor.

Ndryshe, i njëjti kishte mohuar incidentin e ndodhur në QKMF dhe shkrimet në media. Ai i kishte quajtur pretendime të pavërteta dhe shpifje, sipas tij, me qëllim për të dëmtuar reputacionin e tij.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një koment nga Bulliqi në lidhje me vendimin, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Video e demanton Shpejtim Bulliqin në lidhje me incidentin me qytetarin në QKMF