Mytaher Haskuka dhe Skender Susuri. FOTO: KALLXO.com

Dënohet për punësime pa konkurs ish-drejtori i Haskukës

I larguar nga detyra e drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Skender Susuri është dënuar me 300 euro gjobë për veprën penale – cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë.

Susuri në maj të vitit 2019 ishte larguar nga posti i drejtorit të Arsimit.

Ai kishte thënë se subjekti të cilit i takonte (Nisma Socialdemokrate) nuk e përkrahte dhe se kishte pasur presione të mëdha lidhur me konkurset në sektorin që e udhëhiqte.

“E kam ditë që konkurset do të jenë sfidat më të mëdha, presioni është i madh për konkurse”, kishte thënë Skender Susuri.

Nisma Socialdemokrate ka qenë partner koalicioni në qeverisjen e Prizrenit, të drejtuar nga kryetari Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje.

Pikërisht konkurset dolën të jenë ato që Susurin e dërguan në bankën e të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Skender Susuri më 19 prill 2019 kishte nënshkruar kontratën e punës për një mësimdhënëse, duke i mundësuar asaj që të punojë në shkollën e një fshati të Prizrenit.

Tutje, aktakuza thotë se Susuri në cilësi të drejtorit të Arsimit ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Punës, pasi që në përputhje me këtë ligj ai është dashur të shpallte konkurs publik, me ç’rast ka dëmtuar personat e tjerë që kanë qenë të interesuar për një vend të tillë të punës.

Ish-drejtori është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me gjobë në shumën 300 euro, pasi i njëjti qysh në shqyrtimin fillestar e kishte pranuar veprën penale për të cilën akuzohej.

Drejtoria komunale e Arsimit ka qenë sfidë në vete për kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Në 2 vite e gjysmë qeverisje nga  Mytaher Haskuka, Drejtoria e Arsimit ka qenë drejtoria më e kritikuar.

Këtë Drejtori që nga fillimi i mandatit e kanë udhëhequr dy drejtorë, të cilët vinin nga radhët e Nismës Socialdemokrate, ndërsa pas shkarkimit të drejtorit Gani Gërmizaj, Nisma edhe u largua nga koalicioni qeverisës me LVV-në në Prizren.

Konkurset për mësimdhënës, konkursi i përsëritur për drejtorë të shkollave, akuzat e shumta për punësime familjare a partiake, kanë qenë sfidat që i kanë shoqëruar drejtorët e Arsimit.