Dënohet me një vit burg për kanosje e lëndim të lehtë trupor, i njëjti kishte 8 dënime paraprake nga e njëjta Gjykatë

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me dënim unik me burg 1 vjet, personin me iniciale A.M edhe pse ai ishte dënuar edhe 8 herë më parë nga po kjo gjykatë për vepra të ndryshme.

Personi në fjalë, qysh nga viti 2004 ishte i njohur për Gjykatën e Prishtinës, meqë që nga atëherë vazhdimisht ishte i akuzuar e i dënuar për vepra si kanosja, plagosja e lehtë, vjedhja, vjedhja e rëndë, ndonjëherë vjedhja edhe i kishte ngelur në tentativë.

Mbi të akuzuarin me iniciale A.M ekzistojnë edhe dënime për veprat lëndim i lehtë trupor e asgjësim e dëmtim të pasurisë.

Aktgjykimet e shpallura nga e njëjta gjykatë ndaj të njëjtit person filluan nga viti 2004 e që vazhduan në 2006, 2017, 2018.

Madje ka raste, që ndaj tij e njëjta gjykatë ka shqiptuar brenda një muaji 2 aktgjykime për akuza të ndryshme ndaj tij, e të gjitha këto aktgjykime, shqiptojnë dënime me kusht apo me gjobë.

Veprat me të cilat akuzohet personi në fjalë, sipas legjislacionit në fuqi, parashohin gjobën si dënimin minimal.

Mirëpo gjithashtu po ky legjislacion, parasheh që përsëritësit të veprës, pra recidivistit, t’i merret parasysh ky fakt, në ashpërsimin e dënimit.

Në rastet në fjalë, gjykata disa herë e ka dënuar me kusht të akuzuarin, që nënkupton se nëse brenda afatit të paraparë me ligj, nëse i dënuari bie përsëri ndesh me ligjin, me automatizëm dënimi me kusht i shndërrohet në burg.

E tek rasti në fjalë, në intervalin kohor prej vitit 2004-2021 kur edhe e ka aktakuzën e fundit, personi asnjëherë nuk ka arritur të kryejë dënimin me kusht, sepse gjithmonë ende pa e përmbushur dënimin paraprak ka shkelur ligjin me një vepër tjetër.

Prokuroria së fundmi, konkretisht në gusht 2021, akuzon personin në fjalë me iniciale A.M, për veprën lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.

Që sipas dosjes së Prokurorisë, i njëjti me dashje e ka sulmuar tani të dëmtuarin B.M, derisa ai ishte duke lëvizur me makinën e tij, ai ishte ndalur nga i pandehuri dhe i kishte hapur dritaren e veturës pastaj e kishte goditur me grushte në kokë e pastaj me thikë e kishte goditur në kokë duke i shkaktuar lëndime trupore.

E për këto veprime, prokuroria e akuzon me veprën lëndim i lehtë trupor, që sipas neneve që e akuzon dënohet me gjobë deri në 3 vjet burg, mirëpo gjykata e ka dënuar me 10 muaj burg.

Gjithashtu, prokuroria e akuzon se ky person  e kanosi një të dëmtuar tjetër duke i thënë “Unë kofsha gjallë ka me ta shky barkun dhe ka me ta bo shosh m’i t’i qit zorrët jashtë”, e sipas neneve që e ka akuzuar, vepra është e dënueshme me gjobë ose burg deri në 1 vit, e gjykata e ka dënuar me 2 muaj burg.

Për këto akuza, Gjykata e Prishtinës, Dega në Gllogoc, i shqiptoi dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 1 viti.

Në arsyetimin e gjykatës, për vlerësimin e lartësisë së dënimit, gjykata ka paraparë dhe vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Ku si rrethana lehtësuese, ka konsideruar, faktin e pranimit të fajësisë, premtimin se i njëjti nuk do të kryente vepra në të ardhmen dhe se është penduar.

Gjykata edhe pse mirë e informuar për 8 aktgjykimet e plotfuqishme dënuese kundër tij për vepra të ndryshme, përsëri vendosi që t’i falë besimin pendimit dhe premtimit të të akuzuarit se nuk do të kryejë vepra në të ardhmen.

Kurse si rrethana rënduese, i mori në konsideratë 8 aktgjykimet e plotfuqishme, të nxjerra ndër vite nga kjo gjykatë, mirëpo as kjo nuk ndikoi në ashpërsimin e dënimit, edhe pse ky është dënimi i nëntë me radhë.