Gjykimi i Gafurr Rexhës - Foto: KALLXO.com

Dënohet me burg inspektori i ndërtimit i Komunës së Prishtinës i kapur në flagrancë duke marrë ryshfet

Gjykata e Prishtinës ka shpallur sot aktgjykimin në rastin e inspektorit të ndërtimit të Komunës së Prishtinës, Gafurr Rexha, i akuzuar për marrje ryshfeti.

I pandehuri në seancën e sotme e ka pranuar fajësinë.

“Deklaroj se e kam kuptuar aktakuzën dhe si të tillë pranoj fajësinë. Njëkohësisht ndihem keq dhe kërkoj falje për këtë rast sepse asnjëherë nuk kam pasë raste të tilla, si person zyrtar që kam qenë dhe nuk do të përsëris më një vepër të tillë”, tha i akuzuari Rexha.

Më pas, gjykatësi Isuf Makolli e dënoi të akuzuarin me 1 vit burgim efektiv dhe 3,000 euro gjobë.

Të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 29 shtator e deri më sot.

Aktakuza thotë se më 29 shtator 2020, si person zyrtar respektivisht inspektor i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar për vete ryshfet shumën e të hollave prej 12 mijë euro nga i dëmtuari Naim Berisha, pronar i firmës ndërtimore “Berisha Group”.

E këtë në mënyrë që të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, pasi që paraprakisht i kishte ndalur punimet të dëmtuarit në objektin me leje ndërtimi që ishte në ndërtim e sipër te Lagjja e Spitalit ” në Prishtinë.

Më pastaj kishte shkuar një ditë tjetër tek i njëjti dhe në emër të lëshimit të lejes për vazhdimin e punimeve i kishte kërkuar shumën e të hollave të sipërcituar.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari rastin e kishte paraqitur në Polici dhe gjatë zbatimit të masave të fshehta pasi ishte takuar me të dëmtuarin në një kafene në lagjen “Tophane” në Prishtinë në të njëjtën ditë rreth orës 17.00 nga i njëjti në zarf me mbishkrimin Berisha Group kishte pranuar këtë shumë të të hollave, të cilat zyrtarët policorë menjëherë pasi e kishin arrestuar ia kishin gjetur çantën aty.

Me këtë i akuzuari ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.