Foto: KALLXO.com

Dënohet me 7 muaj burgim me kusht komandanti policor në Zhur për falsifikim të gjobës së kundërvajtjes

Gjykata e Prizrenit të mërkurën e ka dënuar komandantin e stacionit policor të Zhurit, Ziber Susuri nën akuzat se ka falsifikuar dhe ndryshuar një tiketë të kundërvajtjes.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, i akuzuari Susuri është dënuar me 7 muaj burgim me kusht.

Po ashtu, ai u obligua që të paguajë shumën prej 100 euro dhe 50 euro në emër të kompensimit të viktimave.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur më 28 tetor 2021, i pandehuri Ziber Susuri akuzohet për veprën penale falsifikim i dokumentit.
Susuri akuzohet se si person zyrtar ka ndërhyrë në fletëparaqitjen për kundërvajtje të lëshuar nga dy zyrtarë policorë ndaj një qytetareje sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje dhe të njëjtës i ishte shqiptuar gjoba në shumë prej 200 eurove, i ishte marrë patentë shoferi për tre muaj dhe i ishte shqiptuar një pikë negative.

Organi i akuzës gjithashtu thotë se në këtë fletëparaqitje Susuri ka shënuar të dhëna të rreme ku tek pjesa e gjobës ia bën gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse për marrjen e patentë-shoferit dhe pikën negative duke fshirë me laps kimik.

I njëjti ka vënë nënshkrimin e tij tek “nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe ka shënuar numrin e ID-së së tij.

Me këto veprime, i pandehuri Ziber Susuri akuzohet se ka kryer veprën penale falsifikimi i dokumentit zyrtar.

I njëjti për këto akuza nuk e ka pranuar fajësinë.

KALLXO.com raportoi të martën, për kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit për dënimin e komandantit të nënstacionit policor në Zhur, Ziber Susuri.

Kërkohet dënimi i komandantit policor në Zhur, dyshohet se ia ktheu vozitëses patent-shoferin e konfiskuar