Ilustrim

Dënohet me 3 muaj burg për ngacmim ndaj një gruaje

Një qytetar nga Malisheva është dënuar me 3 muaj burgim pasi u shpall fajtor për ngacmim ndaj një gruaje.

Dënimi erdhi pasi i njëjti pranoi fajësinë para gjykatës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari gjatë vitit 2021, e kishte vëzhguar dhe incizuar të dëmtuarën dhe përmes profilit në Facebook i kishte shkruar të dëmtuares se; “tash kam me ia çu burrit tënd dhe sebepeve të tu që po e tradhton burrin tënd dhe krejt faktet, i kam dëshmitë”

Në lidhje me këto veprime, ai ishte akuzuar për veprën penale të ngacmimit.

Në lidhje me këtë vepër gjykata shqiptoi 3 muaj burgim pasi vlerësoi rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Si rrethana lehtësuese gjykata mori pranimin e fajësisë dhe pendimin e sinqertë.

Ndërsa si rrethanë rënduese mori se i akuzuari ka qenë edhe më parë i dënuar.