Shpallja e aktgjykimit në rastin e akuzës lidhur me tenderin në Pejë. FOTO-Vyrtyte Gërvalla/KALLXO.com

Dënohet ish-shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor ish-shefin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Sheremetin, për keqpërdorim detyre. Ai u dënua së   bashku me disa zyrtarë të tjerë të komunës që po akuzohen lidhur me një tender të shpallur nga Komuna e Pejës. Në këtë rast u dënua edhe pronari i kompanisë që kishte fituar tenderin.

Durim Sheremetit nga  Gjykata i është ndaluar ushtrimi i profesionit në administratën publike për 2 vite. Sheremeti u dënua edhe me dënim me burg prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e tij mund të zëvendësohet me gjobë prej 7000 mijë eurosh

Fajtorë u shpallën edhe 3 zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala dhe biznesmeni, Ilir Kelmendi.

Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara e Gëzim Shala u dënuan secili me nga 6 muaj burg me kusht që për 1 vit të mos kryejnë vepra të tjera penale.

Ilir Kelmendi u dënua me dënim me burg prej 6 muajve që me pëlqimin e tij mund të zëvendësohet me gjobë prej 5000 mijë euro si dhe dënim me gjobë prej 2000 euro.

Kelmendit sipas dispozitave për dënim unik mund t’i shqiptohet dënimi prej 7000 euro.

Lidhur me këto dënime, të akuzuarit dhe të gjitha palët tjera kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë se Pejës, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11,929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.

Sheremeti sipas Dosjes së Prokurorisë ka nënshkruar raportin në emër të Organit Mbikëqyrës – menaxherit të projektit Faik Zekaj, i cili me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka qenë i emëruar menaxher i projektit në fjalë.

Sipas Prokurorisë, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dy mijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9,929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9,929.41 euro.

Sipas aktakuzës, zyrtarët komunal Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Aktakuza pretendon se të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9,929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9,929.41 euro.

Në anën tjetër, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, pasi që si pronar firmës “Green Construcion-Shpk”, duke paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore prej 9,929.41 euro.

Me këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Pejës në vlerë prej 9,929.41 euro.

Përfundon gjykimi ndaj ish-shefit të kabinetit të kryetarit të Pejës, prokurori kërkon t’i ndalohet ushtrimi i funksionit zyrtar