Foto: Kallxo.com

Dënohet ish-drejtori i Komunës së Prizrenit për lidhje të kontratave të kundërligjshme

Gjatë ditës së sotme Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar ish- drejtorin  e Ekonomisë dhe Financave në Prizren, Ertan Simitçi dhe Zenel Ahmetaj, në cilësinë e U.D. drejtor në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit për keqpërdorim detyre.

Ata janë dënuar nën akuzën se kanë lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me disa media lokale në Prizren.

Simitçi dhe Ahmetaj akuzohen për në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, në kohën kur kjo Komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së.

Sipas aktakuzës, zyrtarët Simitçi dhe Ahmetaj, kishin lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, për emitimin e spoteve reklamuese lidhur me senzibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën e Prizrenit.

Gjykata ka dënuar Simitçin dhe Ahmetaj me burgim me kusht në afat prej gjashtë muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afatin e verifikimit prej 1 viti i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Sipas aktgjykimit, Simitçi ka shkaktuar dëm komunës në vlerë prej 17 mijë e 700 euro, ndërsa Ahmetaj në shumën prej 300 eurosh.

Shkrimet në lidhje me këtë aktakuzë mund t’i lexoni në këtë LINK.