Dënohen të akuzuarit se kontrabanduan kosovarët nëpër Europë

Shani Sahitaj, Bejtullah Bytyqi, Sefedin Bezeraj, Lulzim Bajrami, Bashkim Vladi, Premton Harxhi, Musaj Krasniqi dhe Emrush Gashi janë dënuar sot nga gjykata për kontrabandim me migrantë.

Gjykata i ka gjetur fajtorë të akuzuarit Bejtullah Bytyqi, Musaj Krasniqi, Sefedin Bezeraj dhe Shani Sahitaj  edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Lidhur me veprën e lartcekur, Shani Sahitaj u dënua me 2 vite burg dhe 3 mijë euro gjobë.

Bejtullah Bytyqi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë.

Sefedin Bezeraj u dënua me 2 vjet burg dhe gjobë prej 3 mijë eurosh.

Musaj Krasniqi  u dënua me 1 vit burg dhe 500 euro gjobë.

Ndërsa Lulzim Bajrami, Bashkim Vladi, Premton Harxhi dhe Emrush Gashi  u dënuan me nga 1 vit burg dhe gjobë prej 500 euro.

Po ashtu të akuzuarit Shani Sahitaj, Bejtullah Bytyqi, Sefedin Bezeraj dhe Musaj Krasniqi  u dënuan me gjobë prej 500 euro për posedim të paautorizuar të armëve.

“ Nëse të dënuarit nuk dëshirojnë ose nuk mund të paguajnë gjobën në afatin e caktuar gjykata dënimin me gjobë do ta zëvendësojë me dënim burgimi, duke ia llogaritur një ditë burgim me 20 euro gjobë “, tha gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj.

Gjykata të akuzuarve Bejtullah Bytyqi, Musaj Krasniqi, Sefedin Bezeraj dhe Shani Sahitaj i shqiptoi dënim plotësues, për konfiskim të armëve dhe municionit.

Të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit gjyqësor më 30.1.202, pasi prokurori special Haki Gecaj e rikualifikoi aktakuzën ndaj tyre, duke hequr dorë nga ndjekja për krim të organizuar dhe ricilësuar veprën penale në kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje.

Pas ricilësimit të veprës, gjatë negociatave me të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, dy prej tyre kishin lidhur marrëveshjen për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale. Fjala është për të pandehurit Shani Sahitaj dhe Musaj Krasniqi.

Sipas aktakuzës, Shani Sahitaj, Bejtullah Bytyqi, Sefedin Bezeraj, Lulëzim Bajrami, Bashkim Vladi, Premton Harxhi, Musaj Krasniqi dhe Emrush Gashi nga viti 2012 e deri në ditën e arrestimit, me qëllim që vetes t’i sigurojnë dobi pasurore të kundërligjshme, në bashkëpunim me shtetasit e Serbisë dhe Malit të Zi, kanë kontrabanduar emigrantë, shtetas të Kosovës, përmes kompanive të ndryshme turistike.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se të akuzuarit duke i shfrytëzuar rrugët përmes Malit të Zi drejt qytetit të Barit kalonin në Itali, poashtu edhe  përmes Serbisë në drejtim të Hungarisë, me destinacionin e fundit vendet e BE-së.

Prokuroria i akuzon tetë të pandehurit se me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale kontrabandim me emigrantë. Ndërkaq Bejtullah Bytyqi, Musaj Krasniqi, Shani Sahitaj dhe Sefedin Bezeraj akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjykimi për kontrabandim me emigrantë, të akuzuarit e pranojnë fajësinë