Dënimi nga Apeli rrezikon ta përjashtoj Sokol Bashoten nga gara për Klinën

Kandidati i PDK-së për Komunën e Klinës Sokol Bashota rrezikon të largohet nga gara për kryetar komune, vetëm pak ditë pasi u certifikua nga KQZ-ja.

Vërtetimi i dënimit për mosdeklarim të pasurisë nga Gjykata e Apelit, si duket do t’i dalë pengesë ish kryetarit të Klinës, në qëllimin për rimarrjen e pushtetit në atë komunë.

Sipas Bashotës dënimi nga Apeli në prag të zgjedhjeve, është një vendim politik.

“Pasi vendimi u morr në prag të zgjedhjeve, jam gjykuar politikisht”, tha shkurt kandidati i PDK-së.

Ai shtoi se aktualisht është i certifikuar nga KQZ-ja dhe se do t’i shoh tutje procedurat ligjore në rastin e tij.

Edhe pse Bashota bënë pjesë në mesin e 552 kandidatëve të certifikuar nga KQZ-ja, kjo mund të mos ia garantoj atij garën në këto zgjedhje, pasi Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme të Kosovës e parasheh mundësinë e decertifikimit nga gara.

Paragrafi 4 i nenit 29 të këtij Ligji ka përcaktuar se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja, mund të decertifikohen në rast se plotësohen ndonjëra nga pikat që ia pamundësojnë një kandidati garimin.

“Nëse kandidati i cili është certifikuar nga KQZ-ja është apo ka arritur statusin sipas të cilit ai apo ajo humb aftësinë për të qenë kandidat sipas dispozitave të paragrafit 1 të këtij neni, ai person decertifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe largohet nga lista e kandidatëve të subjektit politik në fjalë”, përcaktohet në Ligj.

Pra nëse një kandidat pas certifikimit e deri në zgjedhje dënohet me vendim të plotfuqishëm për ndonjë vepër penale, ai decertifikohet nga gara.

Vendimet për moscertifikimin e kandidatëve me dënime për vepra penale gjatë 3 viteve të fundit, filluan të aplikohen përfundimisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me interpretimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, neni 29, pika Q, ka përcaktuar se një kandidat nuk mund të certifikohet në rast se është shpallur fajtor me ndonjë vendim përfundimtar në tre vitet e fundit.

Bashota kishte arritur që të certifikohet si kandidat për kryetar komune pasi nuk kishte dënim të plotfuqishëm një javë më parë.

Sipas Kushtetueses, asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Këtë interpretim Kushtetuesja e kishte dhënë pasi e kishte analizuar votën e deputetit Ethem Arifi për krijimin e qeverisë Hoti.

Si rezultat i vendimit të Kushtetueses në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk ishin certifikuar një numër i madh i kandidatëve për deputet në mesin e të cilëve tashmë kryeministri Albin Kurti.

Apeli ia vërteton dënimin Sokol Bashotës