Omer Muhameti - Foto: KALLXO.com

Dënimi me burgim ndaj të akuzuarit për plagosjen e ish-vjehrrit, babai i të dënuarit - viktimave: 'Shihemi apet'

“Na shihemi apet”- është një fjali që pretendohet se e tha babai i të dënuarit nga shkalla e parë në Prizren, Omer Muhametit, i akuzuar për plagosjen që ndodhi në prill të këtij viti (26.04.2024) në Dragash. 

Kjo u konsiderua si kërcënim nga Kadri Qusaj e vajza e tij, të cilët ishin prezent në sallën ku u mbajt seanca për shpalljen e dënimit për Omer Muhametin. 

Ky i fundit u dënua me burgim prej 3 vjet e gjashtë muaj nga gjyqtarja Teutë Krusha për veprat penale tentim vrasje edhe armëmbajtje pa leje. 

KALLXO.com ka të incizuar me zë momentin i cili pretendohet se u tha brenda sallës në të cilën u mbajt seanca për shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Omer Muhametit të martën më 30.07.2024.

Aty dëgjohet H. Q. duke iu kthyer babait të të dënuarit Omer Muhametit me fjalët ‘hej, hej’.

E më pas në vazhdimin e audio incizimit dëgjohet edhe prokurori Mehdi Sefaj deri sa e udhëzon viktimën ta raporotjnë rastin në polici.

Në gjykatore sot ishte prezent edhe prokurori Mejdi Sefa, prindërit e Omer Muhametit dhe pala e dëmtuar Kadri Qusaj me vajzën e saj dhe avokatin. 

Në një bisedë përmes telefonit, vajza e Kadri Qusaj ka konfirmuar se kanë raportuar rastin në polici dhe tashmë organet e rendit janë duke u marrë me të. Ajo njoftoi se prokurori i udhëzoi ta raportojnë rastin ndërsa pala e dyshuar në këtë rast u thirr për t`u paraqitur në stacion policor. 

“Janë shoqëruar, palët dhe janë duke u intervistuar në stacion, edhe viktimat edhe i dyshuari janë duke u intervistuar dhe policia së bashku me prokurorinë e shtetit, kanë filluar hetimet dhe rasti po cilësohet si rast kanosje. Ende nuk ka vendim për ndonjë ndalim”-  tha Vesel Gashi, zëdhënës i policisë në Prizren, për Kallxo.com.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, KALLXO.com nuk ka marrë informacion nëse rasti është hapur ndaj babait të të dënuarit nga Gjykata Themelore, Omer Muhametit. 

Kujtojmë se KALLXO.com kishte raportuar se si plagosjes në Dragash në prill të këtij viti i kishte paraprirë një kërcënim me plumb në kokë nga ana e Omer Muhametit drejtuar vajzës së Kadri Qusajt. 

Muhameti është ish- dhëndërr i Qusajt ndërsa në seancën e prillit ata ishin takuar për vendosjen e besimit të fëmijës, nga martesa që vajza e Qusajt kishte me tashmë të dënuarin. 

Me datë 24.04.2024 palët ishin ftuar në gjykatë për një çështje të besimit të fëmijëve. Në korridorin e gjykatës Omer Muhameti është filmuar tek paraqet kërcënime serioze ndaj ish gruas së tij H.Q.

“Ki me hi nën tokë, ko me ta q* familjen, ki me pa kush jam unë e kush je ti” dëgjohet duke thënë Omeri.

Kërcënimet kishin vazhduar edhe në seancë gjyqësore. “Kjo ka me shku në vorr e unë në burg, gjyqtarja ja ka tërheq vërejtjen i ka thanë kqyre çka je tu bë a mundesh me vazhdu seancën sepse ai nuk e ka pas avokatoin e vet” rrëfen H.Q.

Seanca sipas dëshmitares ishte ndërprerë ndërsa vajza dhe babai kërkuan ndihmën fillimisht të gjykatës e më pas të policisë.

“Unë i kam thanë gjyqtares më fal a duhesh me thirrë ti policinë apo kush më mbron mu se ky më kërcënoj në gjyq. Më tha unë nuk jam për me thirrë policinë- tha janë organet e tjera që kujdesen për ty”- rrëfen viktima.

Tragjedia e familjes Qusaj do vazhdonte edhe pasi policia ftohet për t’i mbrojtur ata.

Dy policë pa makinë u vijnë në ndihmë familjes. Ata i sugjerojnë viktimës që në këmbë të shkoj në stacion për të dhënë një deklaratë, ndërsa babai mbetet i ekspozuar ndaj sulmuesit.

“Unë shkova me nxjerrë kerrin nga parkingu, veç kur e kam pa atë. Edhe unë e qeli derën dhe dul e unë mendova që po del me bisedu vec e ka shti kryt mrenda edhe e nxjerri armën e unë kur e pash armën u nisa, e kur u nisa aj ka gjujt, krisma ma thej xhamin dhe më kapi në pjesën e gjoksit më hyri plumbi e më doli nga kjo pjesa tjetër”- shpjegon Kadri Qusaj duke treguar se nga i kaloi plumbi.

I plagosur në krahun e djathtë shumë afër zemrës Qusaj rrugëtoj drejt stacionit të policisë.

Aty për të nuk pati ambulancë ndërsa transporti për në spital u bë me makinën e tij.

“Baba erdh në stacion i plagosun, unë tu bërtit thirreni ndihmën e parë, tu i bërtit policise se u doke sikur në zemër u plagos e ju thojsha thirre ndihmën e parë. Ata s’kishin pas kerr me qu as për ndihmë të parë babin- nuk kanë pas kerr. E kanë marrë me kerr të babit e kanë qu me ja dhanë ndihmën e parë. Kanë shku e kanë qu në spital me marr ndihmën e parë”- thotë H.Q.

Dorasi i ngjarjes ka të paktën dy dënime me kusht ndërsa kërcënimi i fundit kishte ndodhur para katër muajsh. Më 20.01.2024, Kadri Qusaj kishte pranuar një telefonatë.

“Hej, o zotni, a je tu e pru qet vajzën a po t’them, (fjala është për mbesën) a mos dil prej shpisë jam tu t’thanë, qashtu jam tu t’thanë unë. Mos ma ban punën ti m’u mshel në shtëpi. A po më nin po thom? Jo me m’thanë hajt mu se robtë kam me t’i q*, t’gjallë e të vdekur. Kudo që të zë në rrugë kam me ta futë plumb në lule të ballit”- ishin fjalët që Omer Muhameti i kishte drejtuar Kadri Qusajt.

Kjo bisedë ishte incizuar ndërsa menjëherë ishte njoftuar policia për ngjarjen, por askush nga institucionet nuk e arrestoj Omerin, e as nuk i kreu kontrolle për armët.

“Nuk u arrestu atëherë. E kam incizimin i ka thanë a po ma jep vajzën mos ma mbaj mshel se unë ko me të vra kudo që të za në lulë të ballit. E ka thirrë me zë, videon e kam incizimin. Jo nuk e kanë arrestu, policia po thotë na nuk kemi diçka në dorë, krejt çka na thotë prokurori ne bëjmë. Unë kam qenë jam anku kam thanë çka është puyna aj po më kërcënon kam dy urdhërmbrojtje e kanë dënu 300 euro send nuk i kanë bërë”- rrëfen  Q.H.

Pasi rasti ishte raportuar, Kallëzimi Penal ishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, rasti i ishte ndarë prokurorit Uesin Veliji.

Ai kishte telefonuar Kadri Qusajn si palë e dëmtuar në atë kohë pasi ishte kërcënuar dhe i kishte ofruar mundësinë që rasti të dërgohet në ndërmjetësim.

”A ekziston ndonjë mundësi që ju me u pajtu që mos me u marrë me kësi raste, ai mos me të kanosë dhe me kërku falje? Me qesi gjana, me kanosje e sulme, duhet me shku në procedura ligjore me respektu njëri-tjetrin, ai ty mos me të kanosë, mos me të ngucë” dëgjohet prokurori duke folor në telefon.

Kadri Qusaj thotë se nuk kishte pranuar që të shkonte përmes ndërmjetësimit pasi që kishte vazhdimisht kërcënime nga ish- dhëndri i tij.

Hulumtimi i KALLXO.com, burgim për personin që tentoi ta vrasë ish-vjehrrin