Deputetja Jetmire Vrenezit gjatë regjistrimit si deputete e Kuvendit të Kosovës | Foto: Jetmire Vrenezi/Facebook

Dënimi me 3 vite burgim i deputetes së LVV-së, çka thotë rregullorja e Kuvendit?

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi është dënuar me 3 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përveç deputetes Vrenezi, Gjykata ka dënuar edhe një zyrtar tjetër Islam Thaçi në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, të cilët sipas prokurorisë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kanë mundësuar kundërligjshëm realizmin e rrënimit të aneks-objektit “Abi Çarshia” në Prizren.

KALLXO.com ka provuar të marr një koment nga deputetja Vrenezi dhe nga shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusar Lila, lidhur me dënimin e shqiptuar nga Gjykata e Prizrenit, mirëpo nuk ka arritur të marr përgjigje.

Urim Vokshi, në cilësi të avokatit të deputetes Jetmire Vrenezi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se është tejet i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren me të cilin është shpallur fajtore deputetja.

“Në cilësi të avokatit theksoj se nga shkresat e lëndës dhe provat e administruara rrjedh se nuk janë plotësuar elementet e figurës së veprës penale në këtë rast. E njëjta është dënuar për nxjerrjen e një konkluzioni për rrënim të cilin ka pasur obligim ligjor ta nxjerrë si inspektore e lëndës”, ka shkruar ai.

Avokati Vokshi tha se posa ta pranojnë vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të njëjtin do ta atakojnë mbi bazën e argumenteve të qarta në Gjykatën e Apelit.

Vrenezi është zgjedhur deputete e Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës me 11 mijë e 346 vota dhe është anëtare në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Në rast se dënimi vërtetohet nga shkalla e dytë deputetja Jetmire Vrenezi sipas rregullores së Kuvendit e humb mandatin.

Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës në nenin 25 e ka paraparë se në cilat raste humb statusi i deputetit.

Në nenin 25 pika d, thuhet se humbja e statusit të deputetit është kur dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet, ndërkaq në pikën f. të nenit 25 thuhet se humbja e statusit të deputetit bëhet me vendim të formës së prerë të gjykatës nëse është konstatuar mungesa e aftësisë së tij juridike për të vepruar.

Në vitin 2020, edhe deputeti Etem Arifi ishte dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale mashtrim me subvencione.

Arifi edhe pse kishte humbur mandatin e deputetit, kishte votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 dhe për formimin e qeverisë Hoti me 3 qershor 2020.

Vota e deputetit të dënuar me burg formoi e rrëzoi qeveri

Sipas formularit për deklarimin e pasurisë, të vitit 2021, Vrenezi më 1 prill 2019 është emëruar udhëheqëse e sektorit të ndërtimit nga Komuna e Prizrenit – Drejtoria e Inspektorateve.

Pasuria e paluajtshme e deklaruar e deputetes është shtëpi banimi 300 metra katror në vlerë prej 60 mijë euro në pronësi të prindit si trashëgimi familjare, truall 7 mijë metra katror në pronësi të prindit si trashëgimi familjare në vlerë 150 mijë euro dhe tokë bujqësore 3 mijë metra katror në vlerë 25 mijë euro si trashëgimi familjare në pronësi të prindit.

Si pasuri të luajtshme Vrenezi ka deklaruar një veturë në vlerë prej 7 mijë euro në pronësi të bashkëshortit e blerë me kredi.

Ndërkaq, detyrimet financiare ndaj personave juridik dhe fizik janë deklaruar 13 mijë e 500 euro për blerje të veturës në Raiffeisen Bank për periudhën 2020 – 2025 si detyrime të deputetes.

Deputetja Vrenezi si palë e pa kënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Rrënimi i aneksit të ‘ABI Çarshisë’, deputetja e LVV-së dënohet me burgim