Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Dënimi i Nezir Mehmetaj, Konjufca: Ndërkombëtarët të rrisin presionin ndaj Serbisë kundër kësaj padrejtësie

Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga autoritetet gjyqësore serbe me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur dënimin padrejtësi dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se mendësia e vjetër e Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë nuk mund të prodhojë asgjë të re veçse fshehjes së krimeve në njërën anë dhe shpikjes së tyre në anën tjetër.

“Sot, pas një arrestimi në vitin 2020, pas një akuzimi dhe procesi të shpikur e arbitrar ndaj qytetarit tonë Nezir Mehmetaj, gjykata në Serbi e ka dënuar atë me 6 vite burg. Mendësia e vjetër e Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë nuk mund të prodhojë asgjë të re veçse fshehjes së krimeve në njërën anë dhe shpikjes së tyre në anën tjetër. E dënoj fuqishëm këtë padrejtësi dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë, me zë të qartë kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut”- ka shkruar Konjufca.

Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga autoritetet gjyqësore serbe me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte.

Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb mund të apelohet.

Ai u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.

Përveç Mehmetajt, në Serbi gjenden në paraburgim nën akuza për krime lufte edhe Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa. Ndërkaq, Sadiku Duraku, që ishte arrestuar më 17 prill nën dyshime për krime lufte, u lirua në tetor të këtij viti.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Serbia dënon Nezir Mehmetajn me 6 vjet burgim