Dënime për vrasje në tentativë e përdorim të armëve, cila është e kaluara kriminale e të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj?
Qendrim Januzi është arrestuar në shtunën nga autoritetet e sigurisë në Kosovë si i dyshuari kryesor për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj.
Në Gjykatën e Ferizajt figurojnë disa dosje kriminale të cilat kanë rënduar në të kaluarën mbi Qendrim Januzin, i cili aktualisht është duke marrë tretman mjekësor në spital dhe të cilit i është vendosur masa e paraburgimit për veprën penale – vrasje e rëndë.
Dosjet e Januzit janë kryesisht për posedim të armëve, një rast të vrasjes në tentativë e përdorim i armës.
KALLXO.com kishte raportuar në bazë të dosjes së Prokurorisë se vrasjes dyshohet se i ka paraprirë një incident i zjarrvënies në të cilën ishte përfshirë vetura e vëllait të të dyshuarit kryesor për vrasjen.
Kjo pasi që Qendrim Jonuzi kishte raportuar në Polici se veturën e vëllait e kishte djegur tashmë i vrari Gazmend Hyseni. Kjo më pas ishte trajtuar nga ana e Policisë dhe në fund kishte rezultuar se Hyseni nuk ishte i dyshuar pasi nuk kishte qenë në atë kohë në afërsi të vendit të ngjarjes.
KALLXO.com ka kërkuar nga Gjykata e Ferizajt dosjen e të kaluarës kriminale të të arrestuarit Qendrim Januzi.
Problemet me ligjin në Kosovë, Januzi sipas të dhënave të Gjykatës i ka nisur që nga viti 2010. Ai ndër vite dyshohet se ka kryer disa vepra penale për të cilat ka marrë edhe dënim. Një rast i shënuar sipas të dhënave që ka siguruar KALLXO.com ka përfunduar me procedurë të ndërmjetësimit ndërsa vepra penale dyshohet se ka qenë – lëndim i lehtë trupor.
Dy vite më parë, Qendrim Januzi ishte dënuar nga Gjykata e Ferizajt për veprat penale – përdorim i armës dhe posedim i armës pa leje.
Të njëjtit për përdorim të armës i ishte shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 5 mijë eurove. Në këtë dënim i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 3 gusht 2020 deri më 14 shtator 2020 ndërsa për posedim të armës i ishte shqiptuar dënimi me kusht prej 1 viti nëse i njëjti nuk do të kryente vepër tjetër penale.
Në vitin 2019 me aktvendim të Gjykatës së Ferizajt në Qendrën e Ndërmjetësimit ishte vendosur aprovimi i marrëveshjes së ndërmjetësimit për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.
Në vitin 2018, Qendrim Januzi ishte shpallur fajtor për veprën penale – armëmbajtje pa leje. Atij i ishte shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 eurove.
Gjykata e Ferizajt ka thënë për KALLXO.com se vendime të gjyqësorit në Kosovë ndaj Qendrim Januzit janë evidentuar edhe në vitet 2010-2011.
Në atë kohë Qendrim Januzi ishte në moshën 18-19-vjeçare, kohë kjo e cila konsiderohet se nuk kishte qenë i mitur kur kishte marrë vendimet e gjykatës për veprat penale që dyshohet se i kishte kryer.
“Me aktvendim të Gjykatës së Qarkut në Prishtinës të datës 04.02.2011, është shpallur fajtor për shkak të veprave penale vrasja e rendë në tentativë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, është përgjigjur Gentiana Hoxha, zyrtare ligjore në Gjykatën e Ferizajt për KALLXO.com.
Për këto vepra penale Qendrim Januzi ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh. Në të njëjtin dënim ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 7 shtator 2010 deri më 4 shkurt 2011.
Një vendim tjetër i Gjykatës Komunale të Ferizajt ishte evidentuar edhe në vitin 2010. Qendrim Januzit i ishte shqiptuar në atë kohës masa edukative- dërgimi në institucion edukativo korrektues me kohëzgjatje një vit. Në pajtim me të dhe përfaqësuesin e tij ligjor i njëjti vendim ishte zëvendësuar me urdhër për punë në dobi të përgjithshme në kohëzgjatje prej 120 orë të cilat ka qenë i obliguar që t’i përfundojë në periudhë kohore brenda katër muajve.
Vrasja në Ferizaj, viktima s`ishte i involvuar në djegien e veturës së vëllait të të dyshuarit