Dënim me gjobë ndaj të akuzuarit për falsifikim të diplomave

Gjykata e Prizrenit e ka dënuar me 700 euro gjobë të akuzuarin D.G., për falsifikim të diplomave të shkollës së mesme dhe falsifikim të diplomave nga qendra për aftësim profesional.

Të akuzuarit ishin arrestuar nëntorin e vitit 2019, duke vepruar si grup i organizuar dhe duke shitur diploma false në kundërvlerë të pagesave prej 1,300 deri ne 2,000 euro për një diplomë.

Sipas gjykatës, të akuzuarit D.G., pas pranimit të fajësisë, i është shqiptuar dënimi me burgim prej 6 muajve, mirëpo të njëjtit me pëlqimin e tij, ky dënim iu zëvendësua me gjobë në shumën prej 700 euro në të cilën do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Pos dënimit me burgim, gjykata të akuzuarit i ka shqiptuar edhe dënimi me gjobë në lartësi prej 1,500 euro. Me anë të këtij aktgjykimi të akuzuarit i janë konfiskuar edhe diplomat e falsifikuara.

I akuzuari nga fillimi i vitit 2018 e deri me 9 tetor 2019, në Prizren, Prishtinë, Obiliq dhe Mitrovicë në bashkëkryerje me personat e tjerë M.H., D.G., .R., M.B., D.M., dhe E.Xh., përpilojnë dokumente të falsifikuara me qëllim të shfrytëzimit të dokumenteve si origjinale.

Tutje thuhet se të akuzuarit e lartcekur, i pajisin aplikuesit – qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria me diploma fallco të shkollave të mesme në kundërvlerë të pagesave prej shumave 1,300 deri në 2 mijë euro për diplomë.

Po ashtu, nga koha e pa vërtetuar e deri me 9 tetor 2019, në Prizren, Prishtinë dhe Podujevë të pandehurit me qëllim të përfitim të dobisë pasurore falsifikojnë diploma për kryerje të veprimtarisë së pavarur, kinse te lëshuara nga një Qendër për aftësim profesional në Podujevë në kundërvlerë të pagesave prej 500 euro.

Gjykatë gjeti se në veprimet e të akuzuarit plotësohen të gjitha elementet qenësore të veprës penale në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, falsifikimi i dokumenteve.  Prandaj dhe ia shqiptoi dënimin me burg i cili me pëlqimin e tij iu zëvendësua me dënim me gjobë.

Me rastin e shqiptimit të dënimit, Gjykata pati parasysh rrethanat lehtësuese, si pranimin e fajësisë, premtimin se në të ardhmen nuk do të kryejnë më vepra penale, sjelljen korrekte para gjykatës dhe se për herë të parë kane rënë ndesh me ligjin. Me rastin e shqiptimi të dënimit me gjobë, Gjykata pati për bazë gjendjen ekonomiko financiare të të akuzuarit

Nëntorin e vitit 2019 emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ kishte transmetuar pamjet nga dhënia e parave dhe arrestimet e personave të dyshuar.