Dënim me burg për policët që dyshohen për keqpërdorim detyre

Gjykata në Prishtinë ka shpallur fajtor tre policët e Leposaviqit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria Speciale po akuzon, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosavljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq.

Sipas aktakuzës, që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror duke keqpërdoruar detyrën dhe pranuar ryshfet, me veprimtarinë e tyre kanë kryer veprën penale të krimit të organizuar duke funksionuar si grup kriminal i organizuar që është  marrë me kontrabandë të mallrave ushqimore, transport të drurëve, barnave dhe derivateve nga Serbia në Republikën e Kosovës.

Kryetarja e trupit gjykues, Albina Shabani Rama tregoi se kanë gjetur elemente vetëm të veprës keqpërdorim detyre.

“Trupi gjykues pas seancës së këshillimit dhe votimit, sot në emër të popullit, mori dhe shpalli publikisht këtë aktgjykim, ndaj të pandehurës, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq,  trupi gjykues një zëri ka gjetur se të pandehurit në fjalë, janë fajtorë, secili veç e veç, për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” – tha gjyqtarja Albina Shabani Rama.

Gjyqtarja e rastit, Albina Shabani  Rama deklaroi se nuk kanë gjetur elemente të veprave, krim i organizuar dhe marrje e ryshfetit.

“Trupi gjykues nuk ka gjetur elemente të veprës penale krim të organizuar dhe veprës penale marrja e ryshfetit, për çka edhe ka gjet gjendjen faktike që i përshtaten elementeve të veprës keqpërdorim i detyrës për çka edhe janë shpallur fajtorë” – tha tutje gjyqtarja Albina Shabani Rama.

Sa i përket dënimit, gjykata ju shqiptoi dënim me burg dhe si dënim plotësues ndalimin e funksioneve në administratë publike.

“Gjykata të pandehurve secilit veç e veç për veprën penale për të cilën i ka shpallur fajtorë, ju shqipton dënim me burg me kohëzgjatje, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq, 2 vite e 6 muaj, të pandehurit Izet Uskoviq dënim me burg në kohëzgjatje 15 muaj. Gjithashtu gjykata konform kodit penal të RKS, të pandehurve në fjalë secilit veç e veç ju shqipton edhe dënimin plotësues dhe atë ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbim publik, në kohëzgjatje prej 3 viteve pas mbajtjes së dënimit” – tha Gjyqtarja Albina Shabani Rama.