Dënim me burg për fajde në Gjakovë

Sylë Shala i akuzuar për dhënie të fajdeve u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg dhe 2000 euro gjobë.

Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Sylë Shala nga Lipoveci i Gjakovës përshkruhet në aktakuzën e prokurorisë së Gjakovës si person që ofroi fajde me kamata të larta.

Prokuroria pretendon se Edmir Krasniqi në dhjetor të vitit 2017, kishte marrë nga Shala shumën 500 euro me fajde ndërsa kamata javore ishte 250 euro.

Aktakuza shpjegon se gjatë vitit 2018, i akuzuari Sylë i kishte dhënë edhe dy herë të tjera para me fajde të dëmtuarit për të cilat babai i të dëmtuarit i ka paguar rreth 15 mijë euro kamatë.

Kamatat sipas prokurorisë kishin vazhduar edhe gjatë vitit 2019 ku i dëmtuari kishte paguar 2 mijë euro kamatë ndërsa i kërkoheshin edhe 3 mijë e 200 euro të tjera.

Shala është arrestuar nga policia gjatë këtij viti në një operacion të stimulimit.

Gjatë procesit gjyqësor, Sylë Shala ishte deklaruar i pafajshëm.

Fajdet në Gjakovë: Për 500 euro kamata javore 250 euro