Dëmtohet sërish kablloja optike e vendosur nga Policia e Kosovës përgjatë rrugës për në Bërnjak

Kablloja optike e cila është vendosur përgjatë rrugëve që të dërgojnë për në pikën kufitare Bërnjak  është dëmtuar për të dytën herë brenda pesë ditëve të fundit.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëvendësdrejtori Rajonal i Policisë në veri të Kosovës, Besim Hoti.

“Ajo është e dëmtuar, nuk është prishur vet, është hapur rast për dëmtime të instalimeve publike dhe po punohet në drejtim se kush e ka dëmtuar”- tha Hoti në një bisedë telefonike me KALLXO.com.

Sipas tij prerja e kabllos optike është e qëllimshme ndaj dhe janë ndjekur të gjitha procedurat për inicim të rastit.

“Kompania e ka lajmëruar rasti, policia ka dalë në vendi e ngjarjes bashkë me të kompanisë dhe është hapur rasti është njoftuar prokurori”- shtoi tutje Hoti.

Pesë ditë më parë në të njëjtin fshat pra Koplivië Policia kishte pranuar edhe një thirrje tjetër për dëmtimi e kabllos optike.

“Zyrtarët e kompanisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se kabllo është e dëmtuar në dy pjesë, sipas tyre vlera e dëmit është rreth 5,000 €. Rasti është duke u hetuar” – thuhej në njoftimin e policisë.