Dëmtohet pllakata e organizatës që po lufton për mbrojtjen e lumenjve në bjeshkët e Deçanit

Përfaqësues të Organizatës për mbrojtje të ambientit ‘Pishtarët’ në Deçan kanë raportuar për dëmtim të posterëve që përdoren si fushatë informimi në qytetin e Deçanit.

Organizata deklaron se këto postere janë larguar në mënyrë të dhunshme pasi kanë qenë të futura afër një metër nën tokë.

“Organizata ‘Pishtaret’ ka filluar një kampanjë informimi në qytetin e Deçanit me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat tona kushtetuese në mbrojtje të mjedisit, që i kemi përgjegjësi secili. Por menjëherë është vërejtur se dikush po i largon posterat të cilët janë zëvendësuar nga Pishtarët. Por sot organizata është informuar se këto akte dëmtuese kanë kaluar në nivel edhe më të dhunshëm, është bërë tërheqja me dhunë e pllakatës informuese të hekurt që ka qenë e vendosur gati një metër thellë në tokë,” thonë nga Organizata.

Sipas përfaqësuesve të kësaj organizate kjo pllakatë është e vendosur në pronë private dhe është e rrethuar me kamera pasi afër ka zonën e mbrojtur të Manastirit nga KFOR.

Tutje Organizata ‘Pishtarët’, konsideron se një akt i tillë është bërë me makineri të rëndë dhe se me anë të këtij veprimi po ju mohohet e drejta e mbrojtjes së ujit .

Organizata këtë akt po e konsideron si një kërëcënim i cili kishte filluar me fjalë ndjekur nga ai me padi dhe tani këto veprime të dhunshme.

“Kushdo që e ka bërë këtë akt të dhunshëm është munduar shumë dhe është dashur të përdoren makineri e rëndë për tërheqje pasi forca e njeriut nuk do t’mund ta largonte. Me e dëmshmja është se interesat e Kelkosit në shoqeri, që vazhdimisht janë të angazhuar të na mohojnë të drejtën e mbrojtjes së ujit dhe lumit tonë po shkojnë shumë më larg duke na sulmuar demokracinë dhe tentojnë ta përdhosin edhe Kushtetutën e Kosovës”.

“Na vjen shumë këq për ata persona që kanë rënë kaq poshtë sa t’i përdhosin fjalët e Kushtetutës tonë, për të cilën ende i kemi plagët e hapura. Kjo tregon se puna jonë është më shumë se e nevojshme në Deçan, por gjithashtu po shihet se kërcënimet ndaj ne dhe punës tonë po ngriten çdo ditë. Njëherë filluan kërënimet me fjalë, tani kaluan kërënimet me padi, tash eskaluan në akte të dhunshme”.

“Kërkojme nga të gjitha institucionet përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt në gjetjen por edhe parandalimin e dhunës më tutje,” shton Organizata.

Pishtarët thonë se rastin e kanë lajmëruar në polici dhe tek KFOR-i në Deçan që janë përgjegjës për mbrojtjen e zonës së veçantë.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.