Dëmtohet pllaka e heroit Ali Ajeti, dyshime se dëmi u shkaktua para tre muajve

Pllaka e heroit Ali Ajeti në fshati Shtedim të komunës së Podujevës është dëmtuar totalisht.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Isak Ejupi.

“Në mëngjes kemi pranuar informacionin së kjo pllakë është dëmtuar. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe në bazë të informacioneve pllaka është dëmtuar totalisht”, ka thënë Ejupi.

Ai tutje ka bërë të ditur se dyshimet e para janë se dëmtimi i pllakës së heroit është bërë së paku tre muaj më herët.

“Policia ka hapur rastin dhe po vazhdon me hetime. Deri më tani nuk kemi ndonjë person të dyshuar apo të arrestuar për rastin”, ka thënë Ejupi.

Së nga kush është dëmtuar kjo pllakë nuk kanë informacione as në Komunën e Podujevës.

Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia ka thënë për KALLXO.com se gjatë ditës së sotme janë informuar nga policia se pllaka e heroit Ali Ajeti është dëmtuar.

“Nuk kemi informacion se si ka ndodhur rasti, na njoftuar nga policia sot se pllaka është dëmtuar. Janë njoftuar drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike, të njëjtit kanë dal në teren dhe po merren me rastin”, ka thënë Zhitia.

Ai tutje ka thënë se ky rast është nën kompetencën e policisë që të hap rastin dhe të zhvilloj hetimet.

Heroi Ali Ajeti ra heroikisht në fshatin Shtedim në Podujevës me 31 maj 1989.