Dëmtohet nga zjarri serveri në Agjencinë e Regjistrimit Civil

Në zyrat e Agjencisë së Regjistrimit Civil në Prishtinë në një incident zjarri është djegur një server. Incidenti ka përfunduar pa të lënduar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 10:30 e kemi pranuar informatën për një incident zjarri në ndërtesën e Agjencisë së Regjistrimit Civil në  rrugën Luan Haradinaj në Prishtinë”. Nuk raportohet për persona të lënduar. Zjarrfikësit dhe policia menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Zjarri është lokalizuar.”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, Genc Hamzaj, Shef i Teknologjisë Informative ka bërë të ditur se të dhënat të cilat kanë qenë në server nuk do të fshihen.

“Sot kemi pasur një avari ku është dëmtu një pjesë e një ups qendror, nuk ka dëme tjera. Të dhënat në servera nuk rrezikohen të fshihen vetëm po pastrohet infrastrukrura e rrjetit të dëmtuar. Jemi në tentim që të rregullohet sa më shpejt për fillim te punës. Shkaktari nuk dihet ende jemi duke analizuar.”, ka thënë Hamzaj.