Dëmtohet ndriçimi publik në Viti, reagon komuna
Është dëmtuar një pjesë e konsiderueshme e ndriçimit publik, përgjatë shëtitores skaj lumit Morava e Binçes në Viti. Komuna, nëpërmes një reagimi, këto veprime i ka quajtur të papranueshme.
Këso akte vandale, siç i ka cilësuar Komuna e Vitisë, nuk është hera e parë që ndodhin. Komunarët kanë numëruar edhe disa raste kur janë dëmtuar hapësirat publike në këtë qytet: Përdhosja e flamurëve kombëtarë pranë varrezave të dëshmorëve, dëmtimi i qëllimshëm i stadiumit të qytetit dhe disa raste të tjera të dëmtimeve më të vogla.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve të Vitisë që t’i lajmërojnë të gjitha rastet e dëmtimeve në Komunë apo në Polici në mënyrë që të ruhen pasuritë e përbashkëta të qytetit.
Ata gjithashtu kanë rikujtuar që këto hapësira ndërtohen përmes parave të taksapaguesve ndaj edhe do të mbeten të përkushtuar për ta parandaluar dëmtimin e tyre.