Logo e NP KRU" Prishtina"
Dëmtohet gypi i ujësjellësit në Hajvali, disa zona mbesin pa ujë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ njofton se pas dëmtimit të një gypi për shkak të vërshimeve pa ujë do të mbesin disa lagje në kryeqytet, duke përfshirë edhe fshatin Hajvali.
“Para pak çastesh është dëmtuar gypi i ujit me diametër fi 250 mm në fshatin Hajvali. Shkak i këtij dëmtimi janë vërshimet. Pa ujë të pijshëm janë : Hajvalia, Çagllavica dhe lagjja Veternik”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se punime për sanimin e këtij gypi do të fillojnë nesër.
“Natyra e dëmtimit, e shkaktuar nga vërshimet është tejet e ndërlikuar që të sanohet sot në orët e mbrëmjes. Sanimi pritet të realizohet nesër në mëngjes”, thuhet tutje në njoftim.
Shumica e komunave në Kosovë janë duke u përballur me rrugë të prishura, ura të rrëzuara, ndërprerje të rrymës elektrike si dhe përmbytje të shtëpive e bizneseve pas rritjes së nivelit të ujit për shkak të reshjeve të dendura të ditëve të fundit.