Dëmtohen llamarinat në objektin e Mensës së Studentëve, intervenohet për rregullimin e tyre - FOTO

Llamarinat në objektin e  Mensës së Studentëve në Prishtinë janë dëmtuar, duke rrezikuar studentët që kalojnë në këtë pjesë çdo ditë.

Studentët thonë që janë ndier të rrezikuar kur kanë kaluar në atë pjesë.

Florianë Hoti ishte njëra nga studentët e cila është ndjerë e pasigurtë dhe ka ndërruar rrugën kur e ka parë gjendjen.

“Kur kam kaluar nga Mensa jam ndier e rrezikuar për shkak të tavanit të hapur, i cili ka sjellur pasiguri tek ne si studentë, edhe dashur të ndërrojë rrugën në kahun tjetër”- tregoi ajo për KALLXO.com.

Studentja tjetër, Shqiptonë Muhaxheri thotë se është rrezikuar cilido person që ka kaluar para Mensës.

“Po ashtu edhe unë jam ndier e rrezikuar për gjendjen sepse tavani në çdo kohë ka mundur të bie dhe të rrezikojë jetën e kujtdo që ka kaluar këndej, sidomos studentët të cilët e frekuentojnë këtë pjesë më së shpeshti”- pohoi ajo për KALLXO.com.

KALLXO. com ka kontaktuar drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishtën i cili ka thënë se llamarinat janë prishur nga era mbrëmë, duke shtuar se ekipi do të dalë t’i rregullojë.

“Është e ekipa që shpejt e sanon atë gjendje, dje sigurisht është prish ka qenë një frymë e madhe edhe e ka zhvendosur prej vendi”-tha Sfishta.

Para pak çastesh në vend të ngjarjes janë parë ekipet të cilat po rregullojnë llamarinat në hyre të Mensës.