Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Dëmtimi i veturës së drejtoreshës së medias 'Kossev' në veri, deklarohet Policia e Kosovës
Drejtoreshës së medias online “KoSSev”, Nevenka Mediq, i është dëmtuar vetura në Mitrovicë të Veriut, më 13.10.2024. Për këtë rast, Policia e Kosovës është duke mbledhur informacione.
Kështu ka deklaruar për KALLXO.com, zëvëndësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani më 14.10.2024.
“Në fakt ne kemi pranuar informacion për dëmtim kriminal të mundshëm në një veturë të caktuar. Nuk është hap rast në konsultim me prokurorin sepse jemi duke mbledhur informata më shumë. Në momentin që kemi më shumë informacion dhe dijmë me çka kemi të bëjmë, me siguri do të hapim rast”- theksoi ai.
Kurse për rastin e pengimit të zyrtarit policor të shtunën më 11.10.2024, Elshani tha se i dyshuari është arrestuar dhe të njëjtit i është shqiptur gjobë.
“Rasti ka ndodhur të shtunën në mbrëmje ku patrulla e policisë është ndalu në një vend për shkak të një aksidenti të komunikacionit i cili ka ndodhë aty. Policia ka pritur patrullën kompente që është me u marrë me aksident. Një qytetar ka ndërhy aty është tregu i vrazhdë me policët. Policët kanë kërku nga ana e tij që ai me u largu, i njëjti nuk është largu. Kanë fillu me u mbledh njerëzit këtu edhe në një moment të caktum policia ka bërë arrestimin e personit të caktum për mosrespektim të urdhëra të policit, pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare. Ai është sjell këtu në stacion, i është shqiptu një gjobë për kundërvajtje, ka rezultuar të jetë i dehur mbi 0.5 promila alkool në gjak dhe i njejtin është liru. Është kosovar i përktësisë etnike serbe”- tha Elshani.
Elshani u pyet nga KALLXO.com edhe në lidhje me disa raportime se është sulmuar ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
“Zyrtarisht nuk jemi duke thënë diçka për arsye se nuk kemi ndonjë ankesë zyrtare. Policia është duke i marrë disa veprime të veta, mirëpo nuk kemi rast të hapur”- përfundoi Elshani.