Demoloi shtëpinë e ish-vjehrrës dhe mori me forcë ish-bashkëshorten 21-vjeçare, arrestohet 27-vjeçari

Një 42-vjeçare ka raportuar në Policinë e Kosovës se ish-dhëndri ka hyrë me forcë në shtëpinë e saj.

Sipas saj, i dyshuari, 27-vjeçar e ka demoluar shtëpinë dhe e ka sulmuar djalin e saj të mitur.

Madje, ajo ka thënë se i dyshuari po ashtu e ka marrë me dhunë vajzën e saj 21-vjeçare, e cila është ish-bashkëshortja e të dyshuarit.

“Ankuesja N.A, e moshës-42 vjeçare ka raportuar në polici se personi V.N, i moshës 27-vjeçar, ish dhëndërri i saj, kishte shkuar në shtëpinë e saj, fillimisht kishte dëmtuar dhe demoluar orenditë e shtëpisë e pastaj me forcë ka marr vajzën e ankueses M.A, e moshës 21 vjeçare , ish bashkëshorten e tij” – ka thënë Policia.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në fshatin Nerodime e Epërme në Ferizaj, më 2 shtator 2022, rreth orës 21:04.

Tutje është thënë se i dyshuari më pas është larguar në drejtim të panjohur.

Në lidhje me këtë Policia ka thënë se sot rreth orës 12:00 kanë identifikuar të dyshuarin, V.N. dhe vendin e ndodhjes së tij, të cilin më pas e kanë arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin e Policisë në Ferizaj,

Pas intervistimit nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit të rastit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.