Demolohet stadiumi i qytetit të Vitisë ende pa u kryer ndërtimi

Zhveshtoret e Stadiumit të qytetit të Vitisë, i cili është ende në ndërtim e sipër, janë demoluar mbrëmjen e së shtunës.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënsi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Persona të panjohur kanë demoluar në tërësi objektet ndihmëse (zhveshtoret) në stadiumin e qytetit në Viti, i cili stadium është në ndërtim e sipër. Dëmet e shkaktuara janë të konsiderushme”, ka thënë ai.

Në lidhje me këtë ka reaguar Drejtori për Rini, Kulturë dhe sport, Milot Lala i cili e ka quajtur akt vandal dhe të papranueshëm.

“Sot isha në vizitë në stadiumin e Vitisë dhe i pash nga afër dëmet që janë bërë, shpreh idinjatën e thellë me rastin e dëmtimit të stadiumit të qytetit në Viti nga personat e pandërgjegjëshëm. Aktet e tilla vandale të dëmtimit të Stadumit të Qytetit janë të papranueshme, ajo çka ndodhi nuk i shërben askujt dhe nuk na dërgon askund”, ka shkruar Lala.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë ka shtuar se në lidhje me rastin nuk ka të arrestuar.