Demokratët prezantojnë rezolutën për gjykimin e Trumpit

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara prezantoi një rezolutë për gjykimin e presidentit Donald Trump, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”.

Demokratët që udhëheqin këtë dhomë të Kongresit amerikan, e fajësojnë Trumpin për nxitje të trazirave, javën e kaluar, në Kongres.

Pesë vetë kanë mbetur të vdekur, pasi mbështetësit e Trumpit kanë sulmuar dhunshëm ndërtesën e Kongresit dhe janë përplasur me policinë.

Paraprakisht, Trump ka mbajtur një fjalim përpara mbështetësve, duke i përsëritur pretendimet e pabaza për mashtrime në zgjedhjet e 3 nëntorit, në të cilat sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, ka dalë fitues.

Trump ka thënë përpara turmave se ai “nuk do të dorëzohet kurrë” dhe, shumë shpejt pas fjalimit, turmat kanë sulmuar Kongresin.

Në rezolutën e prezantuar nga demokratët thuhet se Trump i është adresuar një tubimi, përpara se mbështetësit e tij të kryenin sulmin.

Ai bëri deklarata që “inkurajuan dhe rezultuan në mënyrë të parashikueshme” me veprimet e paligjshme në Kongres, thuhet në rezolutë.

Rezoluta për gjykimin e presidentit – proces që ndryshe njihet si impeachment – vjen pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve e bllokuan kërkesën e demokratëve për të nxjerrë një rezolutë tjetër, që do t’i bënte thirrje nënpresidentit Mike Pence të aktivizojë Amendamentin 25 të Kushtetutës amerikane, për largimin e Trumpit menjëherë nga zyra.

Çfarë është “impeachment”?

Procedura për shkarkimin e presidentit që në anglisht njihet si “impeachment” do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”.

Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.

Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2019, Trump është përballur edhe me një proces të impeachment-it.

Atëbotë, Trump është akuzuar se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili pritej të ishte rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020, dhe djalin e tij Hunter.

Hunter ka punuar për një kompani ukrainase, kur Joe Biden ka qenë nënpresident i SHBA-së.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohej se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Senati, megjithatë, ka votuar kundër shkarkimit të presidentit./REL