Foto: CNN
Demokratët peshojnë të mirat dhe të këqijat e garës pa Bidenin
Presidenti amerikan, Joe Biden, është rrekur të dielën që të ringjallë përpjekjen e tij të lëkundur për rizgjedhje, derisa anëtarët bashkëpartiakë kanë debatuar të ardhmen e kandidaturës së tij, shkruan BBC.
Performanca shijehidhur e presidentit në debatin e fundit ngriti shumë dyshime për gjendjen e tij fizike dhe psikologjike për të garuar për mandatin e dytë. Intervista e Bidenit të premten mbrëma në ABC vetëm sa fuqizoi edhe më shumë spekulimin për të ardhgmen e fushatës së tij.
Në këtë paqartësi të madhe, Bideni u shfaq në dy aktivitete fushate në Pennsylvania, shtet kyç i pavendosur.
Por këto përpjekje nuk i kanë frenuar bashkëpartiakët e presidentit që t’i peshojnë rreziqet dhe shpërblimet e mbajtjes së Bidenit, 81 vjeç, si kandidat të demokratëve.
Të dielën pasdite, lideri i pakicës në Dhomën e përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, mbajti një takim me kongresistë demokratë, ku u raportua se u diskutua kandidatura e Bidenit.
Katër prej të ftuarve në mbledhje thuhet se kërkuan që Bideni të tërhiqet, ka mësuar CBS-, partnere e BBC-së në SHBA. Burimet kanë bërë të ditur se tre të tjerë kanë shprehur shqetësimin pas gjasat e kandidaturës së tij në zgjedhjet e nëntorit.
Një numër demokratësh me pozita të larta kanë shprehur gjithashtu qëndrimet e tyre në intervista televizive gjatë fundjavës, duke ngritur dyshimin se a është më rrezik që të vazhdohet me Bidenin, apo pa të. Disa janë të mendimit se partia mund ta mposhtë Donald Trumpin me Bidenin në garë, ndërkaq të tjerëve ua ha mendja se zëvendësimi i tij do të sillte shumë të panjohura.
Duke pasur parasysh performancën katastrofale të Bidenit në debatin e fundit, dikush mendon se tërheqja e Bidenit do të ishte njëfarë lehtësimi. Por disa demokratë, përfshirë mbështetësit e palëkundur të Bidenit, kanë folur shumë, duke lënë të kuptohet se shqetësimet për moshën dhe gjendjen e tij mendore janë bërë vështirë të kapërcyeshme.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com