Demokratët kthejnë shikimin kah Harris – a mund ta mposhtë ajo Trumpin?
Të shtunën pasdite, zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, doli në skenën e një festivali kulturor afro-amerikan në New Orleans, duke shpalosur rrëfimin e saj jetësor dhe se si ndjehet për arritjen e saj deri në Shtëpinë e Bardhë.
Ishte një prej atyre aktiviteteve ku zëvendëspresidentja e parë me prejardhje aziatike kishte marrë pjesë gjatë tri vjet e gjysmë të saj në majën e pushtetit amerikan si zëvendëse e Joe Bidenit, ku ajo ndiqet nga një grup më i vogël gazetarësh, të cilët më shumë e përcjellin vetë presidentin, shkruan BBC.
Por derisa demokratët në panik mijëra kilometra larg po haheshin në Washington nëse duhet ta zëvendësojnë 81-vjeçari Biden si kandidat të partisë për zgjedhjet e nëntorit pas debaklit të tij në debatin e parë televiziv kundër Donald Trumpit për zgjedhjet e nëntorit, ka nisur të rritet edhe numri i gazetarëve që po mbulojnë paraqitjet e Kamala Harrisit, vlerëson BBC.
Në skenë dhe gjatë udhëtimeve të fundjavës, zëvendëspresidentja nuk u është përgjigjur shqetësimeve të ngritura për gjendjen fizike dhe mendore të Bidenit për ta kryer edhe një mandat dhe nëse ajo do ta zëvendësonte nëse do të tërhiqej ai.
Por gjatë diskutimit të ambicieve të saj dhe të rrugëtimit në jetë, ka folur tërthorazi edhe për zhvillimet e fundit, duke i inkurajuar të pranishmit që të mos dorëzohen.
“Njerëzit në jetë do t’ju thonë se nuk është koha juaj. Nuk është radha juaj. Askush si ju nuk ia ka dalë më parë”, ka thënë ajo. “Mos ua vini asnjëherë veshin atyre fjalëve”.
Prej debatit të 27 qershorit në CNN, ajo e ka mbrojtur shefin e saj, duke thënë se pesha e qeverisjes së tij nuk duhet të kundërpeshohet me paraqitjen e tij 90-minutëshe në debat. Vetë Bideni ka thënë se e ka ndarë mendjen top se nuk do të tërhiqet nga gara presidenciale.
Megjithatë me ngritjen e numrit të thirrjeve që presidenti të hapë krahun, madje ka raporte se një numër demokratësh të profilit të lartë po bëhen me një mendje se 59-vjeçarja Harris duhet të dalë si kandidate e natyrshme në vend të Bidenit.
Të dielën, kongresisti nga Kalifornia, Adam Schiff, ka deklaruar për NBC-në se Bideni ose duhet “të fitojë me shumicë të thellë ose duhet t’ia kalojë flakadanin dikujt që mundet”. Kamala Harris, ka thënë ai, “do të mund të fitonte fare mirë me shumicë të thellë” kundrejt Trumpit.
Por ky propozim ka ngritur vetullat në mesin e disa demokratëve, përfshirë aleatët e Bidenit, të cilët e shohin Harrisin si zëvendëspresidente që ka kishte dështuar në garën e vitit 2020 për nominim partiak dhe që ka pasur mbështetje të ulët popullore gjatë gjithë kohës së saj në Shtëpinë e Bardhë.
Përkundrazi, kongresistë të njohur demokratë, si puna e Schiffit dhe Jim Clyburnit nga Karolina Jugore, e shohin Harrisin si pasuese të dukshme nëse Bideni nuk do të mund ta përballonte presionin e fundit partiak.
Mbështetësit e Harrisit spikasin një numër anketimesh që sugjerojnë se ajo do të performonte më mirë se presidenti në një përplasje të mundshme kundër Trumpit. Ata ngulmojnë njashtu se ajo ka profil të lartë kombëtar, infrastrukturë fushate dhe mundësi për t’i bërë për vete votuesit më të rinj, duke e bërë kështu të padukshëm tranzicionin vetëm katër muaj para zgjedhjeve. Kandidatura e saj do të ishte një kthesë e madhe për një grua që më jo shumë kohë më parë ishte parë si dobësi politike prej figurave të njohura në Shtëpinë e Bardhë të Bidenit. Madje edhe vetë Bideni e kishte vlerësuar punën e muajve të saj të parë si “punë në përparim”.
Por Jamal Simmons, strateg i kahershëm demokrat dhe ish-drejtor komunikimi i Harrisit, ka thënë se ajo kaherë është nënvlerësuar. “Pavarësisht se a është partnere e presidentit ose ta rrokë flamurin e kandidates, është dikush që republikanët dhe fushata e Trumpit duhet ta marrin seriozisht”, ka deklaruar Simmons për BBC-në.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com