Foto: REL/AFP

Demokratët hetojnë vendimin e Trumpit për largimin e inspektorit gjeneral

Demokratët në Kongres të shtunën kanë nisur një hetim për largimin e mbikëqyrësit të brendshëm të Departamentit të Shtetit nga presidenti Donald Trump, duke akuzuar presidentin për përshkallëzimin e luftës kundër çdo mbikëqyrjeje të administratës së tij.

Trump kishte njoftuar për largimin e inspektorit Steve Linick në një letër drejtuar kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Demokratët dhe Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme i Senatit e kanë vënë në pyetje motivin e largimit të tij nga puna.

Demokratët kanë thënë se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka rekomanduar personalisht largimin e Linick për shkak se ai kishte hapur një hetim ndaj Pompeos.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Sekretari Pompeo ka rekomanduar largimin e tij dhe presidenti Trump është pajtuar.

Linick, që ishte në detyrë nga viti 2013 nën administratën e Obamës, është inspektori i katërt që lirohet nga detyra me vendim të presidentit Trump./REL