Akiv - Ilustrim - Seancë në OShP

Demokracia-Plus kërkon që seancat e OShP-së të transmetohen direkt

Organizata joqeveritare Demokracia-Plus ka publikuar të gjeturat e raportit për “Rolin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik në mos-efikasitetin në prokurim publik”.

“Organi Shqyrtues si institucion publik i pavarur ka për qëllim që në kuadër të mundësive dhe kapaciteteve që kanë në dispozicion të zbatojnë procedurat ligjore, pa diskriminim dhe sa më shpejtë. Ne jemi dëshmitarë që ky organ nuk është në nivelin që e dëshirojmë. Prandaj përmes lansimit të transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave të rrisim transparencën në raport me publikun dhe qytetarin. Përmes lansimit të këtij sistemi synojmë të rrisim vetëdijen e qytetarëve sesi funksionon Organi Shqyrtues i Prokurimit, kjo nuk do bëhej e mundur pa një mik të madh të Kosovës siç është USAID-i”, tha Blerim Dina, kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Në mesin e panelistëve ishte edhe kryetarja e USAID-it në Kosovë Lisa Magno.

Në këtë tryezë, Demokracia-Plus prezantoi të gjeturat nga analizimi i të gjitha vendimeve të OShP-së në periudhën qershor 2018 – maj 2019.

Disa nga të gjeturat kryesore janë: Vendime jokonsistente, injorimi i ligjeve të tjera, siç është Ligji i Punës, gabime nga ekspertët shqyrtues, vendimet për futje në listë të zezë të kompanive që kanë dhënë deklarata të rreme.

Në fund, u diskutuan edhe rekomandimet për hapat që duhen ndërmarrë për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes në OSHP, i cili do mundësohej përmes lansimit të projektit për transmetim të drejtpërdrejtë të seancave të OShP-së.