Demokracia në Veprim publikon raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV), ka publikuar raportet përfundimtare të zgjedhjeve, duke përfshirë raportin për vëzhgimin e zgjedhjeve, raportin për monitorimin e fushatës zgjedhore dhe raportin për monitorimin e mediave.

Sipas këtij misioni dalja në këto zgjedhje ka qenë më e madhja pas shpalljes së pavarësisë.

Sipas DnV, respektimi i masave për mbrojtjen nga COVID-19 nuk ka qenë i kënaqshëm në disa qendra të votimit.

DnV ka vlerësuar se zgjedhjet janë zhvilluar me 14 shkurt me zgjedhje të organizuara sipas standardeve demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta, duke përjashtuar organizimin e zgjedhjeve me shumicë serbe  ku është identifikuar një orkestrim i tyre për dy subjekte politike.

Procesi i numërimit të votave në veçanti i kandidatëve është problematikë në Kosovë, gjë e cila e ka zbehur kredibilitetin e këtij procesi.

Sipas DnV, rinumërimi i 700 vendvotimeve dhe numërimin e kandidatëve shpërfaq edhe një herë politizimin e thellë dhe mungesën e integritetit në mesin e disa anëtarëve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ky raport përfshinë dy periudha kohore të monitorimit, para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

DnV ka gjetur se edhe në kto zgjedhje janë evidentuar spote reklamuese në televizione, për të cilat ka munguar informacioni nëse kanë qenë të sponsorizuara. DnV ka evidentuar gjithsej 60 spote reklamuese të cilave nuk iu ka figuruar nëse janë të sponsorizuara.

Në raport thuhet se 58 nga këto spote kanë qenë të publikuara në televizionin publik.

Po ashtu në raport thuhet se hapësira mediale ka qenë në diskrepancë në mes të kandidatëve gra dhe burra, ku përveç Vjosa Osmanit, kandidateve të tjera gra iu është dhënë hapësirë minimale.

Në këtë raport në mes të tjerave thuhet se hapësirë më të madhe në televizione iu është dhënë analistëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, por pa sjellje dhe përmbajtje të mirëfilltë për programe politike, ndërsa ballafaqim të kandidatëve për kryeministër nuk ka pasur në asnjë televizion.

DnV pas monitorimit dhe publikimit të raportit të zgjedhjeve të 14 shkurtit ka dhënë 6 rekomandime, ku tri kanë qenë për mediat ndërsa tri të tjera për subjektet politike.

DnV ka rekomanduar për subjektet politike që të mos selektojnë mediat por t‘i trajtojnë të barabarta, t’i inkuadrojnë më shumë kandidatet gra në debate televizive dhe po ashtu këto gra kandidate t’i promovojnë më shumë në rrjete sociale.

Ndërsa tri rekomandimet për media janë: Mediat në Kosovë duhet të zbatojnë në përpikëri Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, më saktësisht nenin 8, i cili saktëson sjelljen e mediave gjatë zgjedhjeve, DnV i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të fillojë ndryshimin e Ligjit të KPM e po ashtu Demokracia në Veprim ka rekomanduar për mediat që të respektojnë Kodin e Etikës dhe Rregulloren e KPM-së.